Partia Demokratike, ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pasi shirat e dendur shkaktuan përmbytje të disa tokave bujqësore, duke shkaktuar dëme për fermerët.
Përmes një deklarate për shtyp nga kryesia e Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë, tha se “mijëra gjedhë u mbytën dhe qindra e qindra hektarë tokë bujqësore e mbjellë, në serra dhe fusha, u përmbytën të tëra, duke i lënë në mëshirë të fatit mijëra fermerë të Beratit, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Lezhës etj”.
Sipas Bozdos, fakti që edhe pas një jave, ujërat ende nuk janë tërhequr, tregon qartë se problem nuk kanë qenë reshjet, por fakti që kanalizimet kulluese nuk funksionojnë.
Bozdo u ndal tek dëmet e krijuara në qarkun e Beratit.
“Në dy bashkitë ku dëmet ndaj fermerëve janë më të mëdha, atë të Dimalit dhe Kuçovës, na rezulton se prej shumë vitesh nuk investohet as edhe një lek në mirëmbajtjen, riparimin dhe zhbllokimin e kanaleve kulluese bujqësore.
“Të dy kryebashkiakët socialistë të këtyre bashkive, duke parë dëmet e shkaktuara, kanë detyrim të bëjnë publike të dhënat për mirëmbajtjen e kanaleve kulluese. Ashtu siç edhe bashkia e Beratit është përgjegjëse për përmbytjen dhe dëmtimin e bizneseve dhe parkimit në qendër të qytetit, sepse projektimi dhe zgjidhja inxhinierike është bërë gabim, aty buzë lumit Osum”, tha Bozdo.
Bozdo i kërkoi “ministrit të bujqësisë dhe pushtetarëve vendore, të përllogarisin sa më parë dëmin e shkaktuar çdo fermeri dhe çdo biznesi të qarkut Berat dhe Shqipërisë, si dhe i kërkoj në të njëjtën kohë ministrit të financave të alokojë fondin për dëmshpërblimin 100% të çdo dëmi të krijuar”.
Deputeti i PD-së theksoi se fermerët duhet të ndihmohen pasi gjenden në vështirësi të madhe ekonomike.
“Për këtë mjafton që qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, sepse është detyrim i qeverisë t`i përgjigjet deri më një këtyre dëmeve. Mundësitë janë, mungon vetëm vullneti!”, u shpreh Bozdo.(Marseda QEFALIA(.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit