SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Për emërimet në Polici do të krijohet një këshill i posaçëm

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku priti në një takim oficerët dhe përfaqësuesit e misioneve dhe programeve për përmbushjen e detyrave të saj ku deklaroi se, do të ketë ndryshim të filozofisë dhe metodologjisë së punës në këto struktura.

“Prioriteti im nuk është ndryshimi i emrave në krye të strukturave qendrore e vendore, por ndryshimi i filozofisë dhe i metodologjisë së punës dhe për të arritur këtë duhen domosdoshmërisht reforma ligjore, strukturore dhe arsimore. Nevojitet analizimi i rasteve dhe nxjerrja e përgjegjësive të drejtuesve në të gjitha nivelet e strukturave ku punonjës policie janë të përfshirë drejtpërdrejt në paligjshmëri, veprimtari kriminale dhe favorizim”, tha Rrumbullaku.

Transformimi i Akademisë së Sigurisë, vijoi ai, është një objektiv dhe kjo do arrihet duke marrë modelet më të mira europiane të mësimdhënies, me qëllim që efektivët e Patrullës së Përgjithshme dhe oficerët për Hetimin e Krimit, të cilët do të përgatiten në Akademinë e Sigurisë, të dalin prej andej sa më të aftë profesionalisht dhe të përshtatur me kulturën europiane dhe më gjerë të policimit në komunitet.

Ai tha se, “brenda pak ditëve, në Policinë e Shtetit do të konstituohen këshillat e shqyrtimit të propozimeve për emërimin në detyrë dhe ecurinë në karrierë të çdo punonjësi policie, praktikë kjo që do t’i japë fund vendimmarrjes së deritanishme që ishte atribut vetëm i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për të emëruar punonjës të Policisë në detyrë në të gjitha nivelet”.

“Kjo do të ndikojë në rritjen e besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët e me partnerët, si dhe në rritjen e rezultateve të punës në interes të rritjes së parametrave të sigurisë për jetën dhe pronën e qytetarëve, si dhe për goditjen më me efikasitet të fenomeneve kriminale globale”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.///

error: