Akademia e Studimeve Albanologjike njoftoi se ka përfunduar fushata e parë e projektit arkeologjik shqiptaro-italian “Arkeologjia e peizazhit në zonën Tepelenë-Memaliaj”, i drejtuar nga profesorët C. Silvio Fioriello (Universiteti “Aldo Moro” i Barit), Eduard Shehi dhe Sabina Veseli (Instituti i Arkeologjisë – Akademia e Studimeve Albanologjike).
Territori i studiuar përkon me një hapësirë të gjerë, të vendosur në fshatin Qesarat. Të dhënat mbi gjetje me interes arkeologjik në këtë territor dëshmohen që nga mesi i shekullit të 20-të, si edhe nga gërmimet arkeologjike të shpëtimit, të kryera nga Dr. Taulant Rama.
Gjatë vëzhgimeve u kontrolluan rreth 70 ha, u regjistruan 67 njësi topografike dhe u izoluan rreth 20 site, pothuajse të gjitha shumështresore.
Gjetjet e raportuara paraprakisht:
– gjurmë të një ndërtese të madhe dhe të pasur, e pajisur me ambiente termale, të lidhura me fazat e jetës së saj në antikitetin e vonë, e cila u gjurmua pjesërisht në vitin 2017;
– një vendgjetje e rëndësishme që ka nxjerrë një material të gjerë arkeologjik, që daton nga fundi i periudhës qytetare ilire deri në periudhën perandorake romake;
– një ndërtesë komplekse nga periudha perandorake romake, ndoshta një rezidencë luksoze, e vendosur në një fermë të mëparshme të fundit të periudhës qytetare ilire dhe e pajisur me një koleksion të rëndësishëm skulpturor dhe dysheme me mozaikë të rafinuar dhe mure me pikturë murale.
– dy vendbanime të rëndësishme, të krijuara ndoshta në fundin e periudhës qytetare ilire dhe të ripërdorura në shekujt në vijim, deri në Antikitetin e Vonë.
Por zbulimi më i bujshëm ka të bëjë me një zonë të madhe që ka nxjerrë një sasi të konsiderueshme materialesh prehistorike, të datuara në neolitin e vonë dhe përgjatë periudhës së bronzit. Ndoshta mund të rezultojë të jetë vendbanimi më i madh neolitik në të gjithë Shqipërinë e ndoshta në Ballkanin jugperëndimor.Gjetje arkeologjike.///













ME SHUME LAJME
Zbardhet dinamika e vrasjes në Sarandë, shpallet në kërkim autori dhe pesë të tjerë
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat