Ndryshe nga netët e tjera, qindra të rinj që dolën natën e katërt në Tiranë pas vrasjes së Klodian Rashës u gjendën nën sulmin e forcave speciale që kësaj radhe kishin përgatitur një plan për izolimin e anarkisë që mbizotëroi kryeqytetin për tre netë rresht. Përplasja kësaj radhe ndodhi kur turma e protestuesve sapo kishin mbërritur pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, nëpërmjet rrugës Myslym Shyri dhe ndryshe nga herët e tjera policia kaloi në ofensivë.
Që në fillim u duk se kjo protestë do të kishte me më pak pjesëmarrës. Sepse ende pa shkuar ora 18:00, grupe të rinjsh u ndaluan pa shkak nga policia në zonën e ish bllokut, në qendër dhe në rrugët e tjera lidhëse që të çonin tek kryeministria. Shumë prej tyre, djem të moshave të reja, u shoqëruan në komisariate pa e arritur tubimin tek kryeministria. Shoqërimi i tyre para orës 18:00 nuk qe rastësi. Policia kishte marrë masa kësaj radhe të mos e linte kryeqytetin në dorë të protestuesve, ashtu siç ndodhi për 3 netë rresht.

Protestuesit e parë rreth orës 18:00 ishin grumbulluar përballë kryeministrisë. Aty nuk u hodh asnjë gur, nuk u thye asnjë xham dhe nuk pati asnjë dëmtim. Ndryshe nga nata e parë, kur policët u gjendën të papërgatitur përballë irritimit të të rinjve, kësaj radhe përreth kryeministrisë ishin marrë të gjitha masat.
Prandaj marshimi nisi paqësor në anën tjetër të bulevardit deri kur vargu i protestuesve u kthye drejt rrugës Myslym Shyri, duke patur si destinacion Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Pikërisht pranë lulishtes Tajvani, nisën shenjat e para të dhunës, si fillim ndaj lodrave të parkut dhe më pas drejt sinjalistikës rrugore. Ndërsa vargu i protestuesve u bë më kompakt në rrugën Myslym Shyri, skenat e shkatërrimit të semaforëve, shtyllave apo kazanëve të mbeturinave dhe reklamave të instaluara në rrugë u bë më i shpeshtë. Grupi i njerëzve marshonte dhe herë pas here dëgjohej një xham i thyer apo një shtyllë e sinjalistikës, që rrëzohej gjatë rrugës.

Në momentin kur turma u afrua në kthesën që të nxjerr tek Drejtoria e Policisë nisën të hidhen gurët e parë drejt policëve, të cilët duket se ishin përgatitur për këtë situatë. Ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nisën të kundërpërgjigjen në anën e rrugës nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, në anën tjetër të rrugës, pranë Gjykatës së Lartë u shfaq një grup tjetër i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Ndërsa ato afroheshin me shkopat e gomës në duar, drejt protestuesve u hodh gaz lotsjellës. Specialet u futën mes radhëve të protestuesve dhe nsiën shoqërimet e të rinjve që u gjendën në kurth.

Zgjidhja e vetme për ta mbeti ikja me vrap përmes rrugicave në të dy anët e Myslym Shyrit, apo fshehja në hyrjet e pallatave përreth. Herë pas here nga këto pallate dilnin grupe policësh që mbanin të rrethuar adoleshentë të kapur në katet e larta.
Në të gjithë zonën përreth, deri në qendër dhe deri në zonën e ish bllokut për disa orë me radhë, disa qindra policë vepruan pa mëdyshje duke mbushur furgonët me adoleshentë që kishin dalë në protest, pa llogaritur se shumë prej tyre ishin minorenë apo nuk kishin ndërmarrë asnjë akt të dhunshëm.

Nga situata e anarkisë që zgjati për tre netë me radhë në zona të ndryshme të Tiranës, policia ka rimarrë kontrollin duke ndëshkuar me qindra adoleshentë, që dolën në protestë për të treguar se jeta e Klodian Rashës vlente më shumë se ç’mund të mendonte polici Nevaldo Hajdaraj apo shefat e tij.

Kësaj radhe policia veproi shpejt. Nuk e shfaqi hutimin e orëve të para pas vrasjes së Klodian Rashës. Nuk e pati kompleksin e fajit për të vepruar edhe me dhunë ndaj protestuesve. Përballë policëve mungoi pjesa më aktive dhe më e dhunshme e protestuesve, qindra prej të cilëve kanë mbushur qelitë e komisariateve. Por pavarësisht se policia arriti ta dominojë protestën përmes një strategjie të re veprimi, pjesëmarrja e djemve dhe vajzave që kishin dalë në rrugë ishte e shumtë, një sinjal që anarkia mund të parandalohet, por protesta vazhdon.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit