SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

PS ka detyrimin të vetëndryshojë/ Listat e deputetëve nuk janë muzeume dhe stenda për të vendosur vazot e antikitetit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “skuadrat ndërtohen me lojtarët që janë më në formë dhe më në gjendje në atë moment të përballojnë kundërshtarin dhe të fitojnë ndeshjen”.

Në një konferencë për shtyp nga selia e PS-së, Rama tha se, “ne nuk e kemi betejën me PD-në apo LSI-në, ne e kemi me vetveten, për t’u bërë sa më të mirë në çdo hap dhe sa më të denjë për njerëzit”.

“Natyrisht që ne e kemi betejën për të fituar mendjen dhe zemrat e njerëzve. Dje i kam thënë kryesisë që ne nuk mundet dot të jemi njerëz që drejtojmë këtë forcë politike dhe të listojmë bazuar në idenë që kemi për njëri-tjetrin brenda mureve, se nuk mjafton sado pozitive dhe sado me bindje të jetë ideja ime për njërin dhe tjetrin, nuk mjafton. Cila është ideja e publikut, jo thjesht për njëri e tjetrin, por për PS.

Shqiptarët nuk janë aty të detyrohen të votojnë se ky ka bërë 20 vjet luftë, apo se ky tjetri ka tejkaluar normat e kooperativës. Jo! Ka shumë të tjerë që nuk janë brenda këtyre mureve. Qëllimi ynë është që të rrafshojmë muret ndarëse. Kemi dëgjuar shpesh Rilindja apo PS, PS apo Rilindja. Është absurde që njerëzit të kërkojnë nga një parti politike që të mos rilindë duke u hapur”, tha Rama.

Kryeministri tha se, “është PS që ka detyrimin të vetëndryshojë dhe faktikisht ky është një proces që zgjedhje pas zgjedhjesh ka ardhur duke u konsoliduar”.

“Nuk kam unë asnjë diskutim fare për disa nga miqtë, shokët, kolegët, që kanë dhënë shumë kontribut në vite dhe nuk janë më. Ata në vetvete për mua e kanë vendin gjithmonë të palëvizshëm në sytë e mi. Çështja është: mjafton kjo për shoqërinë, për ata që po kalojnë me biçikletë atje dhe kur ndalin biçikletën duhet të shohin kush është kush në raport me qytetarin? Sa jep ky për mua sot, jo çfarë ka bërë dje. E shkuara është historia e individit dhe e partisë politike, nuk është arsye që njeriu që ndalet te kutitë të votojë”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se “partitë politike janë për të jetuar në lartësinë e të sotmes, jo për t’ju drejtuar njerëzve nga lartësia e së djeshmes”.

“Nëse nuk arrij të bëj këtë, për çfarë i duhem unë vendit? Pyetja është e thjeshtë: Është PS, që është krijuar për t’iu dashur vendit, apo është vendi që duhet ta dojë PS pa kushte?” – tha Rama.

“Nuk ka këtu histori të tjera. Listat e deputetëve nuk janë muzeume, nuk janë stenda për të vendosur vazot e antikitetit. Ato kanë shumë vlerë. Sali Berisha në historinë e PD-së ka shumë vlerë, por për çfarë duhet këtu tani? Për çfarë? Për të ndaluar emigracionin, që të rinjtë të kthehen në Shqipëri duke parë PD-në që ka ndërtuar një stendë me vazo antike, me fosile në këtë rast? Ata nuk kanë çfarë japin, e vetmja gjë që kanë bërë është se kanë qenë në televizor”, tha Rama.///

error: