SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Pse “gazetari qytetar” ka nevojë për edukim mediatik?


Nga Lorin Kadiu/1)

Sot qytetari është njëkohësisht konsumator dhe prodhues i lajmit. Uria e natyrshme për
informacion 24/7, tani ushqehet jo vetëm nga ekranet televizive apo shtypi i shkruar por edhe
nga kanalet e rrjeteve sociale në telefonat celular, shpesh në formën e njoftimeve apo mesazheve
mbi lajmit të fundit.
Ajo që shpesh anashkalohet është fakti se sot shumë qytetarë kanë në dorë mjete me
potencial shumë të ngjashëm me atë të gazetarëve profesionist. Megjithatë, të paktë janë ata që
kanë aftësitë e duhura për të prodhuar lajme, apo njohuritë dhe trajnimin që do t’i bënte
kontributorë të vëmendshëm dhe kritik të përmbajtjes mediatike.
Përhapja e gjerë e aksesit në media ka krijuar idenë e përgjithshme se në parim çdokush
mund të praktikojë lehtësisht gazetarinë qytetare. Në këtë situatë qytetari përballet me probleme
që janë të ngjashme me ato të gazetarëve. Mungesa e aftësive të duhura të edukimit mediatik
mund ta bëjë atë të bjerë lehtësisht në vetë censurë apo në prodhimin e përmbajtjes së pavërtetë.
Për ta sqaruar këtë, është me rëndësi parashtrimi i vetë definicionit të gazetarit qytetar për
të cilin platforma “WeMedia” e Institutit Amerikan të Shtypit (American Press Institute) përdor
këto fjalë: “Veprimi i një qytetari, apo grupi qytetarësh, që luan një rol aktiv në procesin e
mbledhjes, raportimit, analizimit dhe shpërndarjen e lajmit apo informacionit. Qëllimi i këtij
veprimi është përçimi i informacionit të pavarur, të besueshëm dhe relevant për demokratizimin
mediatik.”
Gazetari qytetar i shekullit XXI ka potencialin të kthehet në krijuesin, mbështetësin dhe
ndërtuesin kryesor të medias demokratike. Të pajisur me mjetet dhe njohuritë e duhura, qytetarët
kanë mundësinë të mbushin hapësirat e pa përfaqësuara nga mediat e mëdha, për shkak të
axhendave të diktuara nga interesa ekonomike apo politike, veçanërisht në vendet me demokraci
jo të zhvilluar.
Në mjedise ku kushtet ekonomike apo politike e bëjnë të vështirë ekzistencën e medias
tradicionale të pavarur – gazetari qytetar mund të marrë kontrollin dhe përgjegjësinë si për
krijimin e produktit mediatik, ashtu edhe për mbështetjen dhe ekzistencën e medias alternative të
pavarur. Njohuritë mbi gazetarinë qytetare mund të shtrihen në disa fusha kryesore:
 Edukimi mbi standardet, etikën dhe rolin e medias – Ky set aftësish i mundëson
gazetarëve qytetarë, jo vetëm të aftësohen në teknikat e krijimit të lajmit, por edhe të jenë
vlerësues të informacionit që konsumojnë si edhe të kuptojnë rolin që media e pavarur
luan në sigurimin e llogaridhënies dhe transparencës në një shoqëri.
 Edukimi mbi përdorimin e përgjegjshëm të platformave teknologjike – Në kohën kur
platformat informative po shkojnë gjithmonë e më shumë drejt ndërveprimit, qytetarët
kanë nevojë të aftësohen si në pozitat e konsumatorit të lajmit, ashtu edhe në përdorimin
e përgjegjshëm të fuqisë që i jep roli i përçuesit dhe krijuesit të informacionit.
 Krijimi i lajmeve që janë njëkohësisht të sakta dhe interesante – Blogerët, opinion-bërësit
dhe influencuesit online mund të aftësohen për tu kthyer në burime të besueshme të
lajmit. Vendosja dhe aderimi drejt standardeve mundet që ta edukojë publikun edhe
nëpërmjet kanaleve jo të sofistikuara.
 Rrjetëzimi përtej lokalitetit dhe krijimi i zërave alternativë ndaj medias tradicionale –
Ndërlidhja mes grupeve të ndryshme të gazetarëve qytetarë krijon rrjedha të reja
informacioni që shkojnë përtej limitimeve gjeografike. Aftësimi i qytetarëve që gëzojnë
njohuri mbi teknologjinë mbi praktikat më të mira të gazetarisë së thelluar, verifikimit të
fakteve dhe investigimit mund t’i japë atyre besimin e duhur për të ngritur zërin mbi
çështje që i prekin drejtpërdrejtë.
Edukimi mediatik ndihmon si gazetarin qytetar dhe atë tradicional të kuptojnë më mirë jo
vetëm përdorimin e teknologjisë, por shfrytëzimin e potencialeve të saj për të angazhuar
audiencën. Gazetari tradicional ka mundësi të përfitojë nga mundësitë ekzistuese për trajnim, të
ofruara nga arsimimi, redaksitë, organizatat apo platformat rajonale të medias. Ndërsa gazetari
qytetar është zakonisht i përjashtuar, jo vetëm nga mundësia e trajnimit formal mbi gazetarinë,
por edhe nga njohuritë që do e ndihmonin të kuptonte rolin dhe rëndësinë që media ka.
Gazetaria qytetare është ushtrim i parimit themelor demokratik të lirisë së shprehjes dhe
media dixhitale ka hapur dritare të reja për ata që më parë nuk kishin mundësi për të ngritur zërin
rreth problemeve që i shqetësojnë. Ndaj, adresimi i nevojës së publikut të gjerë për edukim
mediatik është në favor të vetë medias e cila mundet të bashkëveprojë me qytetarin.
Një publik i aftësuar, duke u bërë pjesë e procesit të krijimit të lajmit, gjeneron përmbajtje të
vlefshme dhe origjinale e cila thyen hierarkinë, sjell lirinë dhe origjinalitetin, vlera që përbëjnë
bazën e gazetarisë cilësor
.///( Autori, ISHMedias)

error: