SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Publikimi i të dhënave të pagave, Tabaku: Pjesë e skemës së patronazhistëve

Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar sot në lidhje me publikimin e të dhënave të pagave për 640 mijë qytetarëve.

Tabaku shprehet se skandali i vjedhjes dhe i publikimit të të dhënave të 640 mijë qytetarëve, ka bërë që e keqja të trokasë te dera e çdo shqiptari që emrin dhe të dhënat e tij më të ndjeshme i gjen tek ai dokumenti që xhiron sot në mënyrë të pakontrolluar në kompjutera dhe telefona.

“Këto të dhëna sensitive janë pjesë e skemës së patronazhistëve me të cilën u vodhën zgjedhjet e 25 prillit, dhe sot, këto të dhëna, janë një armë në dorën e çdo keqbërësi. Pas PPP-ve, koncesioneve dhe tenderëve të paligjshëm e të pandershëm që kanë rrënuar ekonominë, që ka lënë në varfëri shumicën e shqiptarëve dhe ka dëmtuar sipërmarrjen e ndershme, jeta e secilit prej jush, e familjarëve tuaj, e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve tuaj, është e ekspozuar ndaj çdo shantazhi dhe keqpërdorimi, vetëm sepse Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij, u treguan të gatshëm të shkelin çdo ligj, të cenojnë edhe sigurinë tuaj, vetëm për të mbajtur me forcë pushtetin e tyre të korruptuar. Ky skandal ilustron se si shteti ka rënë në duart e militantëve patronazhistë që veprojnë për të mbrojtur pushtetin e paligjshëm të Edi Ramës, dhe gjithashtu ekspozon kalbësirën brenda këtij sistemit putinist, ku taksat e qytetarëve, edhe në formën e pagave të majme, përdoren për të shpërblyer  përfituesit e PPP-ve dhe koncesioneve. Duke dëmtuar kështu tregun dhe profesionistët e ndershëm të vendit tonë, që shohin se si të ardhurat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe evazionit fiskal, konkurrojnë padrejtësisht me leje të partisë-shtet”, u shpreh Tabaku.

Po ashtu, Tabaku shtoi se “ky është edhe rasti i kompanive të inceneratorëve, që sot janë një skenë krimi, por që nga hulumtimi i të dhënave duket qartë se si me taksat që u janë vjedhur e u vidhen shqiptarëve, shpërblehen me paga marramendëse pronarët që sot janë në kërkim, dhe të punësuarit e tyre fiktiv”.

Tabaku u shpreh se Partia Demokratike ka denoncuar që tash 6 vite aferën e inceneratorëve, duke filluar që nga konceptimi i tyre, nga krijimi i tyre, nga procesi për dhënien e këtij koncesioni që ka qenë korruptiv.

“Çdo akt i marrë, çdo vendim Këshilli Bashkiak, çdo vendim i Këshillit të Ministrave kanë bërë që shteti të ngrihet në këmbë për të mbuluar këtë aferë, por njëkohësisht për të ndihmuar këtë aferë. Sot Inceneratori i Tiranës i cili shërben në fakt si lavatriçja e mirëfilltë e pastrimit të parave, është një aferë krimi për të cilën SPAK-u nuk duhet të ketë frikë të hetojë, jo vetëm Erion Veliajn, por njëkohësisht edhe ministrat e përfshirë në vendimmarrje”, tha Tabaku. ///

error: