Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, në ceremoninë e nderimit të atletes kampione të Europës, Luiza Gega, se ajo i dhuroi vendit imazhin e një Shqipërie që ia del me kokën lart mes të gjithë të tjerëve.

Para se t’i dorëzonte Kordonin e madh me Yllin për Mirënjohje Publike, kryeministri shtoi se “nëse e shohim të gjithë rrugëtimin dhe vrapimin e Luizës deri kur ka zbritur në pistë për ato më pak se 10 minuta që tanimë i përkasin historisë, ato janë hapa të pafundëm sfilitje, gjaku, lotësh dhe djerse”.
“Fort e admiruar kampione, tanimë edhe e Europës. Është një krenari dhe privilegj shumë i veçantë që të kemi sot këtu mes nesh në një përpjekje për të thënë faleminderit, jo doemos me të gjitha fjalët e nevojshme, edhe pse këtu u thanë shumë fjalë, por prapë kjo arritje të lë pa fjalë, por të paktën me të gjithë ceremonialin që ofron shteti”, iu drejtua Rama, kampiones së Europës në atletikë.


“Më vjen mirë që rastësia e deshi që sot unë të prezantohesha edhe me ambasadoren e re të BE-së në Shqipëri, të cilës i kërkova të qëndrojë pas takimit për të kremtuar një kampione europiane që mundi një gjermane. Nuk na ndodh shpesh që të lëmë prapa Gjermaninë. Para ca kohësh dikush thoshte ‘jemi të dytët pas Gjermanisë’, por sot këtu, në këtë sallë, Gjermania është e dyta pas Shqipërisë”, shtoi Rama.
Rama shtoi se kur vjen fjala tek gara dhe tek adrenalina që gara prodhon për njerëzit, komunitetet, kombet, për gjithë popullsinë e botës, shteti ka kohë që e ka pranuar që e ka humbur rivalitetin me sportin.
“Kujtoni një fjalë të famshme të një shtetari shumë të shquar, i pasfidueshëm në artin e politikës Winston Churchill. Kur u pyet cili është sporti yt i preferuar, ai thoshte: ‘jo sport, never’. Sepse Churchill, si amator i hipizmit dhe notar amator, ishte një atlet i shquar i whisky dhe puros dhe ndihej shumë i sfiduar nga sporti, të cilit nuk mund t’ia hidhte me brilancën e oratorisë. E solla këtu sepse ka diçka që bashkon emrin e tij me triumfin e Luizës dhe janë 4 fjalë të cilat ai i përdori duke i bërë homazhin më të madh vetë sportit, kur i ngriti në këmbë gjithë britanikët në luftë, me një recetë mahnitëse që i ka mbetur historisë të fitores mbi nazizmin. Ai u tha: ‘nuk kam asgjë për t’ju ofruar veç sfilitje, gjak, lot dhe djersë”, tha Rama.

Rama tha se pikërisht me këto 4 fjalë të kthyera në një mënyrë të jetuari, Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë letra të reja fisnikërie.
“Sipërmarrja e saj është marramendëse kur flasim dhe mendojmë që çfarë i dhuroi Luiza Shqipërisë, imazhin e një Shqipërie që ia del me kokën lart mes të gjithë të tjerëve. Është e pamundur të mos e imagjinojmë se çfarë do të thotë kjo dhe është e pamundur të mos e shohim diferencën mes këtyre 4 fjalëve kaq të thjeshta dhe kaq të rënda dhe 400 milionë fjalëve të tjera të kota që konsumohen përditë dhe që nuk prodhojnë asnjë gjë, gjak, sfilitje, lot dhe djersë”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “fitorja madhështore me rekord të ri i Kampionatit Europian është edhe një dëshmi e vyer për të gjithë ne, sportistë e jo sportistë, të rinj apo më pak të rinj, për të gjithë brezat”./atsh///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri