Kryeministri Edi Rama deklaroi te merkuren ne Athine se, heqja e ligjit të luftës nga Greqia është gur themeltar për të hapur një epokë të re.
Gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, Rama u kërkoi ndjesë të gjithë emigrantëve për faktin se “përfaqësia jonë këtu nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Nuk ka shërbyer me dinjitetin e duhur. Dhe për më tepër në kushtet kur tani jemi në fazën e rinovimit të kartave, pasaportave, situata ka qenë edhe më e vështirësuar si pasojë e COVID-it. Por kam besim që gjërat do të ndreqen. E kam thënë këtë në vijimësi. Më vjen keq që personeli dhe drejtuesja e ambasadës nuk kanë dhënë atë që duhet, por kjo nuk është për t’ia lënë as asaj, as personelit, por kjo është përgjegjësia jonë dhe unë i kërkoj ndjesë të gjithë emigrantëve, për gjithë shqetësimet që iu kanë ardhur si pasojë e shërbimit jo dinjitoz në ambasadën e Shqipërisë në Athinë, edhe në përfaqësinë tonë në Selanik”.
Ndërkohë që, shtoi Rama, besoj që gjërat sot janë shumë më mirë se ç’ishin, për faktin se tani kemi dhe shërbimet online. “Ju jeni familjarizuar dhe jetoni këtu dhe natyrshëm i përdorni këto instrumenta. Me shërbimet online kemi hequr një pjesë të madhe të halleve dhe të sorollatjeve. Do të kemi më shumë shërbime dhe deri në fund të vitit, paralelisht një pjesë dërrmuese e shërbimeve në tërësi publike në Shqipëri do të jenë online, megjithatë kjo nuk e zëvendëson dot plotësisht shërbimin fizik”.
Duke folur për ambasadoren Luela Hajdaraga, Rama tha se, “kemi sjellë këtu një ambasadore të re, një vajzë të përkushtuar. Ka punuar disa vite në Agjencinë për Komunikim dhe Dialog në Kryeministri me platformën e bashkëqeverisjes. Ka një eksperiencë jo të vogël pikërisht me trajtimin e ankesave dhe kërkesave të qytetarëve. Dhe i vetmi mesazh që unë i kam dhënë është që politikën e madhe e bëjmë dhe ne të tjerët, ti ke prioritet shqiptarët që jetojnë në Greqi”.
Për marrëdhëniet mes dy vendeve, Rama u shpreh se, “më vjen mirë t’ju them që me qeverinë greke jemi në një situatë shumë pozitive për të trajtuar gjithë problematikat që ju i njihni. Hapi që hodhi kryeministri Micotaqis për të kaluar në parlament legjislacionin për lejet e drejtimit ishte një akt i vullnetit të mirë dhe një pasqyrë e sinqeritetit të tij në raport me dëshirën për të pasur marrëdhënie të shkëlqyera mes dy vendeve”.
Rama u shpreh se, “kemi ende për të trajtuar disa çështje. Ju e dini që ende sot në mënyrë absurde është në fuqi me Greqinë një ligj lufte i Greqisë. Heqja e ligjit të luftës është gur themeltar për të hapur një epokë të re, sepse heq edhe të gjithë mjegullën nga e cila përfitojnë lloj-lloj ujqish, lloj-lloj hijenash, lloj-lloj qensh. Dhe faktikisht hap rrugën për të gjitha çështjet e pronësisë që të zgjidhen në mënyrë ligjore, në rrugë gjyqësore kombëtare apo ndërkombëtare”.
“Kemi folur për çështjen e zgjidhjes definitive të problemit të përkufizimit të hapësirave reciproke detare. Besoj që jemi në rrugë të mbarë. Unë vazhdoj të mendoj që rruga më e mirë është t’i drejtohemi një pale të tretë apo Gjykatës Ndërkombëtare. Të shikojmë në ditët në vijim, por jemi të një mendje që këto gjëra duhen zgjidhur pa humbur kohë”, tha Rama.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, “pa diskutim që është legjitime, siç ne jemi të interesuar vijimësisht për cilësinë e jetës dhe për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Greqi, edhe pala greke, edhe qeveria, edhe kryeministri grek të jenë të interesuar për të drejtat e grekëve që jetojnë në Shqipëri. Është reciproke. Dhe jo vetëm është një kërkesë legjitime e secilës palë ndaj palës tjetër, por është edhe një obligim moral, qytetar, shtetëror që qoftë shqiptarët që jetojnë në Greqi, qoftë grekët që jetojnë në Shqipëri të ndihen në shtëpi në të gjitha aspektet, në të gjitha të drejtat. Që nga e drejta e pronës, tek e drejta e shkollimit të fëmijëve dhe e marrjes së mësimeve në gjuhën amëtare, tek e drejta e punës dhe të gjitha me radhë”.
Nuk diskutohet, u shpreh Rama, “që prirja jonë ka qenë gjithmonë pozitive ndaj minoritetit, por nuk diskutohet që siç kanë probleme të gjithë shqiptarët, kanë probleme dhe qytetarët shqiptarë me kombësi greke në minoritet. Ama në rastin e tyre çështja ka një ndjeshmëri të dyfishtë, është ndjeshmëria jonë, është dhe ndjeshmëria e shtetit amë, e vendit amë”.
Rama u shpreh se, “unë mendoj që në Athinë ne kemi partnerët e duhur, në kohën e duhur, për zgjidhjen e duhur. Jam i bindur për këtë. Sapo jam ndarë me ministrin e Jashtëm një njeri i kulturuar, i qytetëruar, i hapur dhe shumë i dëshiruar për të vendosur marrëdhënie pozitive mes të dyja vendeve, në lartësinë e marrëdhënieve mes dy popujve”./atsh///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit