Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë punimeve të “Forumit të Prespës për Dialog”, se “ne mund të punojmë së bashku në rajon, mund të ecim përpara së bashku për t’i përmirësuar gjërat, për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar hapësira më të mëdha për sipërmarrësit tanë dhe të rinjtë, sepse të vetëm dhe duke qëndruar të themi me shpinën kthyer rajonit, ne jemi shumë të vegjël për këtë”.
Rama mori pjesë sot në sesion plenar të nivelit të lartë të “Forumit të Prespës për Dialog” që po zhvillon punimet në Ohër, të Maqedonisë së Veriut.
“Pikësëpari, unë nuk e kritikova Bashkimin Europian, pasi të kritikosh është shprehje aktive, kur ndjenjat tuaja reagojnë. Kështu, që unë nuk e kam kritikuar BE-në, por thjesht kam thënë dhe e them sërish se ajo që po ndodh është thuajse e njëjta gjë dhe as që dua madje të vazhdoj të them të njëjtën gjë. Pra ekziston një – siç ju e përmendët dhe po e sjell sërish këtu – ekziston një moment në veprën e Samuel Beketit, ku dy nga personazhet thonë: “Do të lëvizim”? Dhe personazhi tjetër i përgjigjet: “Le të ikim”. Dhe Beketi shprehet se ata “nuk lëvizin”. Kështu që është pikërisht ajo që po ndodh, por për të qenë tepër i sinqertë me ju dhe me këdo tjetër, unë nuk e ndjej më aspak këtë. Dhe e kam shumë seriozisht këtë. Nuk është thjesht për të thënë diçka, por nuk e ndjej më. Nuk do të pres më aspak për të dhe nuk ndjehem më ashtu siç e kisha zakon të ndjehesha më parë kur ndodhi”, tha Rama.
“Kjo sepse ju mund të organizoni dhe bëni të gjitha përgatitjet për një dasmë të bukur një herë duke bërë gjithçka siç duhet. Por, në fund, nusja nuk duket askund. Mund ta bësh sërish këtë për herë të dytë duke angazhuar sërish një skenografi të mrekullueshme, muzikën dhe zbukurimet më të bukura, me të ftuar, ushqim dhe gjithçka tjetër, por nusja nuk vjen sërish. Dhe pastaj ju thjesht mund të thoni atë shprehjen “dreqi e marrtë” dhe nuk bën më asnjë përgatitje për dasmën dhe nëse ndodh që nusja vjen, atëherë le të jetë diçka e zakonshme”, vijoi ai.
Rama tha se “kjo është ajo që u përpoqa t’i tregoja Zoranit, kur erdha këtu para se muzika e zakonshme të luhej në Europë, që ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara, sepse ne nuk e kemi zgjedhur këtë rrugë të imponuar nga ndokush apo nga asgjë tjetër, veç vullnetit tonë të palëkundur”.
“Është e vetmja rrugë për ne dhe nuk ka të bëjë me paketimin e Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut dhe vendosjes së tyre në një anije për t’i dërguar në Europë. Kjo ka të bëjë me ndërtimin këtu, në vendet tona, të shteteve që funksionojnë si çdo vend tjetër i Bashkimit Europian. Pastaj, nëse ne do të jemi apo jo pjesë e saj, kjo nuk është punë për ne, pasi nuk është në dorën tonë. Ne nuk mund të vendosim asgjë për këtë. Së dyti, ne mund të bëjmë shumë gjëra ndërkohë që ky vëllimi torturues i Samuel Beketit vazhdon”, shtoi ai.
Kryeministri tha se “ne mund të punojmë së bashku në rajon”. “Ne mund të ecim përpara së bashku për t’i përmirësuar gjërat, për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar hapësira më të mëdha për sipërmarrësit tanë dhe të rinjtë, sepse të vetëm dhe duke qëndruar të themi me shpinën kthyer rajonit, ne jemi shumë të vegjël për këtë”, tha ai.
Por, vijoi Kryeministri, “së bashku jemi mjaftueshëm të mëdhenj. Dhe, falë Zotit ne, përmes veprimeve tona, mundemi të lehtësojmë jetët e gjithë popujve tanë. E përse u dashka të presim që të bëhemi vende anëtare që të bëjmë që tregtia në rajon të qarkullojë pa barriera dhe pa qenë nevoja të presin për mijëra vite brenda një viti, sikurse ka theksuar Banka Botërore në statistikat e saj. Përse u dashka të presim për BE-në, apo të bëhemi pjesë e BE-së, në mënyrë që të realizojmë lëvizjen e lirë të njerëzve thjesht me karta identiteti, të kemi qarkullim të lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, të kemi sportele me vetëm një ndalesë në kufi për këdo dhe transformuar kufijtë praktikisht tërësisht për njerëzit?”///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri