SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama në Ksamil: Investime për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje të turizmit

Kryeministri Edi Rama ishte të enjten në Ksamil, ku së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro inspektoi nga afër zonën bregdetare për të diskutuar mbi prioritetet e investimeve, si pjesë e programit të zhvillimit të turizmit. Rama vlerësoi se zona turistike e Ksamilit tanimë i ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë, për t’u kthyer në një perlë të Mesdheut, të shumëdëshirueshme për pushuesit nga e gjithë bota.

Në këtë drejtim, ai siguroi se do të bëhen vit pas viti investime të konsiderueshme për t’iu përgjigjur si duhet kërkesës që do të rritet çdo vit, drejt majës së Shqipërisë Turistike 2030. Kryeministri kërkoi që të bëhen projekte shumë ambicioze, pasi sipas tij, “këtu duhet të rriten çmimet dhe të ardhurat për njerëzit dhe jo të zhgënjehen turistët”.

Kryeministri shoqërohej në këtë vizitë edhe nga kryetari i bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, si dhe drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli. Ministrja Kumbaro informoi se do të ngrihet një grup i përbashkët pune me FSHZH-në për të ndërtuar disa modele ndarjesh të këtyre hapësirave.

“Bëhet fjalë hapësirat publike edhe ato private. T’i miratojmë në Këshillin Kombëtar të Territorit, një pjesë nga hapësirat publike t’i investojmë bashkë me FSHZH-në dhe pastaj të njëjtat modele t’ua imponojmë investitorëve privatë”, theksoi ajo. Kumbaro theksoi se nga ana tjetër aeroporti i Korfuzit shërben për të sjellë vizitorë jo vetëm në Sarandë, por në gjithë jugun e vendit. “Me rrugën Kardhiq-Delvinë, Korfuzi i shërben edhe Sarandës, edhe Gjirokastrës, derisa të mbarojmë aeroportin e Vlorës”, shtoi ajo.

Kumbaro siguroi kryebashkiakun Çaçi se me buxhetin e ri do të mbështetet për pastrimin, por edhe për sezonin e ri veror. “Pra do të kesh dy herë ndihmë nga qeveria për menaxhimin e mbetjeve”, tha ajo.

Kryebashkiaku Çaçi u shpreh se me këto ndërhyrje po synohet të rritet vlera e pronës, e punës, por edhe kohëzgjatja e sezonit turistik.

Çaçi foli edhe për investimet që po kryhen në akset rrugore për të lidhur liqenin e Butrintit me detin.///

error: