Ngta Eva XHAJANKA
Kryeministri Edi Rama, në takimin që zhvilloi sot me kryebashkiakët e vendit, tha se në reformën e re territoriale, do të shtohet edhe një element tjetër, ai për zonat e mbrojtura.
Rama theksoi se, nuk mund të lejohet që të gjitha kodrat e bregdetit shqiptar dhe ato të Tiranës të mbushen me resorte dhe vila.
“Çështja e pronësisë mbi tokën bujqësore ka ardhur koha dhe duhet të shihet qartë se çfarë është mbi tokën bujqësore dhe çfarë është kërkesë për pronë në ndërtim, sepse historia e ATMP-ve në shkëmbinj, e gërxhe, që natyrisht s’ka pasur kurrë bujqësi, por qëllimi ka qenë, kap tokë që të bësh ndërtim. Ne kemi filluar një punë me Agjencinë e Planifikimit dhe të Zhvillimit Urban dhe pjesë e reformës së territorit do të jetë edhe përfshirja e një elementi tjetër, që është arkitekti i peizazhit, mbrojtja e peizazheve, se nuk mundet dot që të gjitha kodrat e bregdetit shqiptar të mbushen me resorte, vila apo kodrat e Tiranës me pallate. Siç bëmë me Porto Palermon që e kthyen të tërë gjirin në një zonë të mbrojtur, do të ndërtojmë një skedë të re për të mbrojtur pjesë të peizazhit përgjatë bregdetit dhe rreth gjithë qyteteve. Të ndërtosh kulla në qytet është gjëja e duhur, për të shfrytëzuar tokën me një intensitet të lartë në lartësi dhe për të mos u hapur si varrezat e Tiranës, që mund të përfundojnë deri në Durrës. Të ndërtosh me intensitet të lartë është më e mirë sesa të hapesh në të gjithë territorin”, tha Rama.
Rama tërhoqi vëmendjen për të bërë shumë kujdes në kërkesat për ATMP, që të mos kthehen njësoj si ato proceset e legalizimit.
Rama tha se duhen refuzuar kërkesat për pronësi në tokë bujqësore, që dihet se nuk kanë qenë bujqësore dhe nuk kanë për të qenë kurrë bujqësore.
“Ka ardhur koha të vëmë një kufi. Kush do të bëjë bujqësi, të bëjë bujqësi, kush do të bëjë sikur do të bëjë bujqësi dhe të përfitojë për të marrë pjesë që s’kanë qenë të shkelura nga këmba e njeriut, por pastaj i mbushin me beton, kjo nuk mund të funksionojë”, u shpreh kryeministri.
Rama u shpreh se qëllimi është që të ruhet turizmi në harmoni me natyrën dhe pjesën e zhvilluar.
“Ka zona fantastike që duhet t’i mbrojmë, sepse ajo që Shqipëria duhet të ofrojë, duhet të jetë turizëm i një cilësie të lartë, i harmonizuar mes natyrës dhe pjesëve të zhvilluara. Ndryshe, çfarë kuptimi ka të bëhemi si Golemi, që tani është bërë një “pyll” i madh”, u shpreh Rama.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri