– Në një intervistë për gazetën më të madhe italiane “Corriere della sera”, kryeministri shqiptar, Edi Rama deklaroi se ishte i keqardhur për Bashkimin Evropian, por jo i zhgënjyer. Megjithatë, dje në Bruksel, Rama u përpoq të fshihte zhgënjimin dhe nervozizmin e shkaktuar nga një ngërç i krijuar në procesin e anëtarësimit në BE, që prek vendin e tij dhe Maqedoninë e Veriut. “Ishte një ditë e keqe për BE-në”, tha ai.
Pse një ditë e keqe?-“Sepse nuk ishte e mundur të lironim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pengje të një vendi të vetëm të BE-së, Bullgarisë, që është edhe anëtare e NATO-s, njësoj si ne. E gjithë kjo përballë 26 shteteve të tjera anëtare që duken të pafuqishme dhe me një luftë para derës”.
Pse jeni peng i Bullgarisë?-“Thjesht për çështjet e tyre të brendshme politike, asgjë më shumë”.
A prisnit një hap përpara për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?
“BE-ja nuk i ka mbajtur premtimet. Dhe nuk e them unë, të njëjtët drejtues të komunitetit e pranojnë që ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, por pavarësisht kësaj jemi ende të vendosur”.
Keni diskutuar me presidentin francez, Macron, me presidentin e Këshillit Evropian, Michel dhe me presidenten e Komisionit, Von der Leyen. Çfarë i thatë njëri-tjetrit?
“Ne diskutuam sesi të dilnim nga kjo situatë dhe u thashë se mbështesim idenë e një komuniteti të ri evropian”.
A duhet hequr unanimiteti nga vendimet e BE-së?-“Po, me të vërtetë që mendoj kështu, 100 për qind. Jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e ndjeshme edhe për vendet anëtare, që ka historinë dhe rëndësinë e saj. Por, ka ardhur koha për ta hequr atë”.
Keni folur për këtë me kryeministrin italian, Mario Draghi?-“Sigurisht. Diskutuam këtë situatë dhe urgjencën e gjetjes së një zgjidhjeje. Diskutuam edhe ndikimin rus në Ballkan”.
A rrezikohet Ballkani nga infiltrimi nga Rusia dhe Kina me këtë ngërç të krijuar?
“Nuk ka dyshim që rajoni përfaqëson një pikë të dobët të kontinentit për sa i përket rrezikut të depërtimit nga të tjerët. Nëse shikojmë Rusinë, është e qartë se ajo ka mënyrat dhe kanalet e veta që e bëjnë Ballkanin të pambrojtur: kjo është arsyeja pse ne dhe shtetet e tjera të zonës po punojmë për Ballkanin e Hapur që pret të anëtarësohet në BE”.
Putini do të jetë i lumtur me këtë ngërç…
“Putini mund të mos jetë në gjendje të mirë shëndetësore, por Bashkimi Evropian nuk është më mirë”.
Pra, si kujdeset BE për veten?-“Nuk mund të them asgjë për këtë: ne nuk jemi ende brenda Unionit dhe nuk na takon neve të ofrojmë trajtimin. Por, nevoja për të nisur një reformë të thellë të BE-së është shfaqur qartë mes liderëve të BE-së, diçka që ata e kanë thënë prej vitesh”.
A e mbështesni idenë e një BE-je me dy shpejtësi?
“Unë mendoj se çdo gjë e re në BE është më e mirë se kjo situatë, kjo status quo e papranueshme.”
A e lë në hije fatin tuaj hapja ndaj Ukrainës?-“Aspak. Janë dy dosje të veçanta. Ukraina meriton të jetë kandidate për anëtare e BE-së, edhe nëse statusi nuk sjell shumë më tepër, siç e dëshmon historia e Shqipërisë”.
A duan ende shqiptarët të anëtarësohen në BE?-“Nuk mund të jap përqindje, por qëndrimi i shqiptarëve ndaj Evropës nuk ka ndryshuar: duan të jenë anëtarë dhe protagonistë aktivë të BE-së”.
Kur mendoni realisht se Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian?
“Sinqerisht? E pamundur të thuhet. Të parashikosh lëvizjet e BE-së është si të parashikosh fatkeqësi të mëdha natyrore”./ atsh///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.