SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama: Reformimi i Drejtësisë moment historik, nuk ka ndodhur kurrë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, reformimi i sistemit të Drejtësisë është një moment historik për vendin.

Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit, Rama u shpreh se, “sistemi ishte i kapur tërësisht nga kanceri i një drejtësie thellësisht të korruptuar, gjerësisht të kalbur dhe faktikisht të transformuar në një pazar, ku e drejta shitej ose blihej. Dhe ku pavarësisht se brenda sistemit kishte si kudo dhe në çdo vend dhe në çdo fushë njerëz të zotë dhe njerëz të ndershëm, tërësia e sistemit e bënte të pamundur, qoftë për njerëzit e zotë dhe të ndershëm që të promovoheshin, qoftë për njerëzit e thjeshtë dhe të pafajshëm që të garantoheshin nga sistemi i drejtësisë”.

“Kështu u fokusuam në të dyja drejtimet, nga njëra anë në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe nga ana tjetër reformimin e sistemit të shërbimeve”, theksoi Rama.

Për reformimin e sistemit në drejtësi, Rama tha se “kush e mendonte deri pak vite më parë se në këtë vend do të ndëshkoheshin nga drejtësia figura politike të rangut më të lartë?”.“Kush e mendonte në këtë vend deri pak vite më parë se do të vinte dita vetëm pak vite më pas nga fillimi i reformës në drejtësi që askush më nuk do të ndjehej i paprekshëm dhe që anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur në pushtetin vendor, deputetë, do të merreshin në hetim dhe do të akuzoheshin nga një prokurori tërësisht e ndarë nga politika dhe tërësisht e fokusuar tek misioni i saj për të bërë drejtësi? Unë nuk besoj se dikush në këtë sallë, deri para pak viteve do t’i përgjigjej pozitivisht pyetjes, që a e beson që pas pak vitesh do të ndodhë kështu. Dhe jo anëtarë qeverie apo kryebashkiakë, apo deputetë të opozitës, po të partisë në pushtet”, u shpreh Rama.

“Se kemi pasur ne dikur anëtarë qeverie që pushkatoheshin, por ishte sistem tjetër. Këtu flasim për një sistem ku pushtetet janë të ndara dhe ku ndarja e pushteteve mishërohet në veprimtarinë e pavarur të organeve të drejtësie në raport me pushtetin ekzekutiv apo në raport edhe me pushtetin legjislativ”, u shpreh Rama. “Ky është një moment historik përtej të gjitha mangësive apo dobësive që ka një proces që nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe që është ende në hapat e tij të parë për të pasur në këtë vend, ku të gjithë jemi kushërinj, një drejtësi të pavarur, e cila ndan kushëririn e ndershëm nga kushëriri i fajshëm. Është jashtëzakonisht sfidë e madhe dhe nuk ka ndodhur kurrë”, tha Rama.

“S’ka pasur Shqipëria drejtësi të drejtë apo drejtësi të pavarur nga politika apo nga pushteti i politikës në asnjë prej momenteve të qeverisjes së saj, qoftë në Mbretëri, qoftë në Komunizëm, qoftë në periudhat përpara. As në periudhën përpara Reformës në Drejtësi. Dhe ky është një fakt jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe shumë inkurajues, pavarësisht se ky është një proces që ka uljet dhe ngritjet e veta, që ka rëniet dhe zhgënjimet e veta, por që sidoqoftë është procesi i duhur, në drejtimin e duhur”, theksoi Rama.///

error: