Pas Iliasit dhe Gjilekës, ka përfunduar procesi i regjistrimit të pronave në Vuno dhe Dhërmi. Në total janë rreth 1700 prona në Vuno dhe rreth 800 prona në Dhërmi që e përfunduan këtë proces.
Drejtori i përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, së bashku me kryetarin e bashkisë Himarë, Gjergji Goro, dorëzuan në mënyrë simbolike certifikatën e parë të pronësisë së banesës dhe të truallit, qytetarit Odise Anagnosti, e cila u përfitua pas përfundimit të regjistrimit fillestar në Vuno.
Prej ditës së sotme, banorët dhe pronarët e fshatit Vuno mund të aplikojnë për marrjen e certifikatës së pronësisë për shtëpitë dhe tokat e tyre.
Ndërkohë, Lame dha lajmin tjetër edhe për Dhërmiun, ku u bë shpallja e rezultatit dhe afishimi publik për rreth 800 prona të këtij fshati.
Banorët do të kenë afat 45 ditë të konsultojnë produktin e punës së Kadastrës, pas së cilës do të kryhet shpërndarja e certifikatave të pronësisë.
Lame kërkoi edhe me tej gatishmërinë e Bashkisë Himarë për t’iu krijuar mundësi qytetarëve të ankohen për çdo vërejtje që ata kanë në lidhje me punën e Kadastrës.
Po ashtu, drejtori i Kadastrës kërkoi që të gjithë qytetarët që kanë emrin në listë të aplikojnë për pajisje me certifikatë pronësie, si një dokument për të pasur pronën e sigurt nesër.
Kreu i Kadastrës, Artan Lame reagoi edhe ndaj atyre që djegin pyjet për të hapur troje për të ndërtuar. Lame tha se ata persona ta harrojnë se munden t’i legalizojnë objektet.
“Një nga arsyet e zjarreve është për të hapur shtigje për të ndërruar destinacionin e tokës, arsyeja kryesore është djegia nga barinjtë për të hapur kullota. Ndërrimi i destinacionit të truallit ka një procedurë të komplikuar juridike, pikërisht për të frenuar abuzimin me tokën. Ta heqin nga mendja se duke djegur truallin do e përdorin atë tokë për të ndërtuar”, tha Lame.
I pyetur për audiopërgjimin që u publikua para zgjedhjeve të 25 prillit për legalizimet, Lame tha se “ai përgjim është bërë pas zgjedhjeve qendrore të 2017 dhe ne po diskutonim jo në nivelin e brendshëm. Është krim të legalizohen në zonë të mbrojtur apo sipër kanalit, dhe atë kam thënë dhe në audiopërgjim. Dhe kjo duhet parë si shenjë përgjegjshmërie. Është krim të legalizosh në linjat e tensionit të lartë, është krim legalizimi në Butrint. Jemi në 2017 aty në përgjim. Ligji i ri e trajton këtë. Ai përgjim u mbajt për ta pasur një ditë para zgjedhjeve dhe e ruajtën, e nxorën. Nuk heq asnjë fjalë nga ai përgjim. Sapo ju thashë të njëjtën gjë”, tha Lame.
Regjistrimi i pronave në zonën e fshatrave të Bregut po bëhet për herë të parë në histori, pasi nuk është trashëguar asnjë regjistrim as nga koha e mbretit Zog dhe as nga koha e regjimit komunist./ata///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit