Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se, “qeveria shqiptare po ndjek nga afër situatën e rritjes së çmimeve dhe është e gatshme të marrë masa të mëtejshme për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë përtej afatit tremujor të parashikuar”.
Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës” Ibrahimaj e cila ndodhet në Uashington në kuadër të takimeve të pranverës së Bankës Botërore dhe FMN-së, foli edhe për perspektivën e një rritje ekonomike në kushtet e krizës së konfliktit Rusi-Ukrainë, ndikimin e borxhit të lartë dhe arsyet e aktit të dytë normativ për çmimin e naftës.
Lidhur me rritjen e çmimeve, ministrja theksoi se, “në të gjithë takimet që kemi patur ditët e fundit në fakt shqetësimi kryesor ka qënë pikërisht efekti që rritja e çmimeve do të ketë në nivelet e varfërisë në të gjitha vendet e rajonit”.
E pyetur për ngritjen e dy bordeve për mbajtjen nën kontroll të çmimeve të karburantit dhe ato të ushqimeve të shportës, Ibrahimaj shpjegoi se “bordi ka një synim kryesor për rritjen e transparencës në çmime të karburanteve dhe gjithashtu ka për qëllim që në këtë kohë krize qeveria dhe aktorët në treg të jenë në një linjë të përbashkët në të cilën marzhet e fitimit duhet të jenë minimale me qëllim garantimin e furnizimit me çmime sa më të ulta të karburanteve”.
“Në fakt ne, vijoi Ibrahimaj, e ndryshuam formulën me të cilën kalkulohet çmimi i shitjes me shumicë dhe me pakicë. Arsyeja kryesore ishte se në aktin normative të parë ne kishim parashikuar një tjetër çmim burse dhe një tjetër premium i cili është kostoja për transportin që kompanitë kanë. Na u desh ta ndryshonim për të reflektuar atë që realisht kompanitë shqiptare paguajnë. Në se më parë ishte parashikuar një çmim FOB me një premio tjetër realisht kompanitë shqiptare funksionojnë me çmim CIF Mediterranee dhe premio varet nga blerjet që ato kryejnë i cili është i reflektuar në faturë. Pra kjo ishte arsyeja kryesore pse ne ndryshuam mënyrën e kalkulimit të çmimit dhe ne duhet të garantojmë sigurisht që çmimet janë transparente që marzhet e fitimit të jenë sa më të ulta të cilat të mbulojnë kostot operacionale të kompanive por pa e dëmtuar tregun në sensin e falimentimit të kompanive. Pra sigurisht qeveria duhet të kujdeset për të dyja aspektet e furnizimit”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj tha se, “në tregun shqiptar janë 18 kompani të cilat janë kompani shumice, është një numër i madh kompanish të cilat tregtojnë e pakicë – pra ne mendojmë se aktorët janë të përshtatshëm për tregun tonë”.
“Ne kemi vendosur që do të funksionojmë në një ekonomi tregu. Dhe krijimi i bordit në fakt është në kundërshti me parimet tona për funksionimin e ekonomisë së tregut ku çmimi nuk mund të përcaktohet nga qeveritë por duhet të përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Kjo është një situate e jashtëzakonshme që na ka detyruar të marrim vendime të jashtëzakonshme por me tejkalimin e kësaj situate, në momentin që do të ketë një qartësi dhe një përfundim të luftës e cila do të ndikojë në qartësinë e parashikimeve që ne do të kemi, sigurisht do të dalim nga situate e bordit dhe do të vijojmë të punojmë në një ekonomi ku kërkesa dhe oferta përcakton çmimin dhe nuk janë institucionet shtetërore që përcaktojnë çmimin. Ky është një vendim që e kemi marr që në vitet 90 dhe nuk kemi pse ti kthehemi mbrapsh pasi vetëm kërkesa dhe oferta garantojnë efiçencën e tregut”, deklaroi Ibrahimaj.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.