Nga Pirro Naçi *)
-Roli i ministres dhe i Ministrisë së Turizmit është edhe de fakto me dimensionet e përfaqësuesit, e ambasadorit të Shqipërisë, si brenda dhe aq më shumë jashtë vendit. Një detyrë jashtëzakonisht e vështirë për të zgjuar ose për të vënë në lëvizje ingranazhin e diplomacisë turistike, e cila vitet e fundit ka ulur përpjekjet për promovimin e “industrisë së rëndë” të Turizmit, por edhe të gjithë ekonomisë shqiptare në përgjithësi.
Deri më tani, paaftësia për të identifikuar rëndësinë e Turizmit dhe strategjinë për të ardhmen në këtë fushë, si nga ana e politikës ashtu edhe nga ana e biznesit, apo edhe të çdo njeriu qe ushtron veprimtarinë e tij në këtë aktivitet, ka ndihmuar në çoroditjen tonë, të mekanizmit administrativ, por edhe të të huajve që preferojnë vendin tonë. Në këtë pikë do të qëndroja tek termi ‘diplomaci turistike’. Po të shikojmë hapat e para, këto dy-tri javët e fundit, çdo gjë është optimiste. Takime të ministres së Turizmit për promovimin e vendit tonë me ambasadorë të shteteve të ndryshëm, kongresi i operatorëve belgë, takim me përfaqësues shtetërorë gjermanë, falënderime publike për fotografinë italiane , bashkëbisedime me operatorët turistikë për Panairin e Turizmit në Londër, etj., etj..
Por, “me një lule nuk vjen behari’’. E përmenda këtë fjalë të urtë, jo për të mohuar punën dhe besimin që kemi te ministrja e Turizmit, apo tek stafi i këtij dikasteri, por edhe për diçka tjetër më thelbësore. Trupi diplomatik shqiptar, që ushtron veprimtarinë e tij në pothuajse në më shumë se 55-vende të botës, mundet të ndihmojë në drejtim të turizmit? A mund të ngrihen, si hap i parë, “zyrat” turistike apo zyra informacioni të çfarëdo lloj mënyre për promovimin e turizmit pranë çdo përfaqësie diplomatike, apo edhe aq më shumë jashtë këtyre godinave? Madje, madje ngritja e agjencive ose e zyrave turistike jashtë vendit tonë është më se imediate.

Me një vendim të Këshillit të Ministrave nr. 9734 të vitit 2007 bëhej fjalë për ngritjen e zyrave turistike në shkallë rrethi, qarku apo qyteti. Për jashtë vendit, aty ku është edhe baza për të thithur vizitorët, asnjë vendim, asnjë orientim, asnjë perspektivë. Madje këtë nuk e gjen edhe në Strategjinë e Turizmit 2007-2013. Përfaqësitë tona diplomatike me një personel jo të vogël, duhet ta shikojnë me interes punën për promovimin e vendit me operatorët turistikë, me institucione dhe shoqata që veprojnë në fushën e turizmit. Le t’i hedhim një sy listës së panaireve ndërkombëtare në fushën e Turizmit që do të zhvillohen deri në fund të këtij viti.

Panairi i Londrës “World Travel Market”, në Poloni “Tour Salon”, Panairi i Barcelonës “Business Travels &Meetings”, në Rusi “Cis Travel Market”, në Singapor “Itb Asia”, në SHBA “AARP LTEE @ 50+” (për moshën e tretë), në Stamboll “EMITT”, në janar të viti 2014, Panairi i Kanës tej, etj.. Nga përfaqësitë tona në këto vende nuk ka asnjë plan konkret pune. Të kuptohemi, nuk flasim që gjithë personeli i diplomacisë shqiptare të kthehet në operatorë turistikë, sepse nuk është ky misioni i diplomatit. Por në një masë të konsiderueshme përfaqësitë dhe diplomatët duhet të mendojnë dhe të veprojnë me një këndvështrim të ri.
Nuk është kaq e vështirë që diplomati apo pse jo edhe ambasadori, të heqë kostumin dhe kollaren, të veshë një bluzë e të vendosë një kapele në kokë me logon e turizmit shqiptar, të promovojë diku Rivierën shqiptare, në një përfaqësi tjetër Thethin, diku tjetër të promovojë një dasëm shqiptare, festën e ballakumes të Elbasanit, kishat e Voskopojës, Onufrin, Skënderbeun, diku tjetër polifoninë dhe këngët pilurjote, ose ato dropullite, kanionet e juglindjes së vendit, objektet e lashtësisë, në Angli Bajronin, etj., etj. Janë grimca të tilla që plotësojnë imazhin dhe pazëllin e turizmit dhe të ofertës tonë turistike. Le të fillojmë nga më të thjeshtat deri sa të përgatitet tereni për ta bërë këtë punë pranë përfaqësive tona njerëzit e specializuar e të kualifikuar në këtë drejtim. Ministria e Turizmit në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme në këtë drejtim duhet të hedhin hapat e parë dhe me guxim, pa humbur kohë. Këtu do të qëndroja në një fakt konkret dhe të përsëritur disa herë.
Shumë afër nesh ndodhet ishulli i Korfuzit, një destinacion mjaft i preferuar për turistët europianë dhe sidomos i atyre anglezë, gjermanë, francezë, italianë. Numri i tyre në një sezon turistik, po t’i shtosh edhe turistët e brendshëm, kap shifrën e 2.5 milionëve. Një shifër që vjen afër 70-përqindëshit të turistëve që vijnë në vendin tonë. Në këtë ishull nuk ka zyrë turistike, nuk ka objekt turistik apo hotel që të mos promovojë dhe të ftojë të gjithë këtë klientelë për të bërë një vizitë magjepse në vendin fqinj-Albania, apo për Rivierën e bregdetit të Sarandës, qytetit antik të Butrintit. Një promovim dhe reklamë fantastike për vendin tonë. Por ne të zotët e shtëpisë mund ta bëjmë më mirë këtë punë? Padyshim që po. Hapja e një zyre turistike, qoftë me karakter kombëtar, qoftë edhe me karakter lokal nga Bashkia e Sarandës do të ishte me mjaft interes. Do të mund ta mbulonte këtë, edhe përkohësisht, konsullata e Janinës, por me sa duket nuk e ka vënë njeri ujin në zjarr.

Konsullatat tona në Athinë, Janinë, Selanik, Romë, Bari dhe Milano punuan shumë mirë për t’i ardhur në ndihmë dhe pajisur emigrantët me pasaporta. Por puna ka rënë kaq shumë sa nuk dinë se çfarë të bëjnë. Le të provojnë tani të “pajisin me pasaporta turistike” çdo kategori turistësh nga këto vende që tregojnë interes. Nga këto dy vende numri i vizitorëve për vitin e kaluar zinte shifrën e 12% në totalin e të gjithë të huajve që u futën në vendin tonë. Nuk dua të zgjatem në mendime apo “receta” se si mund të organizojnë punën përfaqësitë tona jashtë vendit për promovimin e turizmit dhe zhvillimit të kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë. Do të doja ta mbyllja këtë shkrim me një kërkesë modeste drejtuar ministres së Turizmit që i ka përveshur mëngët, me seriozitet, me një këndvështrim të ri, për një rrugë të gjatë dhe të vështirë për zhvillimin e turizmit. “Zonja Eglantina zgjoi nga gjumi diplomatët!”Fut
Pse Saranda duhet të ndjekë shembullin e Korfuzit Publikuar më 21.07.2014 nga Stela Likmeta Turizmi dhe Saranda janë dy fjalë të ndërlidhura që kanë pothuajse të njëjtën kuptim, që nga thellësia e viteve e deri në ditët tona. Turizmi është një nga degët më të fuqishme të ekonomisë sonë, por edhe një produkt i ri dhe me cilësi të lartë në tregun ndërkombëtar, i cili vitet e fundit po ecën me hapa disi të përshpejtuara. Padyshim, në këtë kontekst, peshën më të madhe të këtij zhvillimi e ka patur, e ka dhe do ta ketë Saranda. Shumë është folur për Sarandën; për anët e mira të zhvillimit të saj, por edhe për të metat e dobësitë. Zhvillimi do të kishte edhe të meta, por dikush mund të ketë gabuar, duke filluar nga pushteti lokal e deri te ai qendror. Madje, vitet e fundit janë kthyer në modë diskutimet e pafundme për “atavizmin” e zhvillimit turistik në Sarandë dhe se si është betonizuar apo shndërruar këta 20 vjetët e fundit.
Pavarësisht kësaj, turistët dhe sidomos ata të huaj, po shtohen nga viti më vit dhe Saranda po bëhet gjithnjë e më shumë një nga qendrat më të preferuara dhe të lakmuara turistike. Por Saranda nuk ka vetëm të kaluarën, ajo të ka tashmen dhe të ardhmen e saj. Jo për t’u justifikuar, por për hir të së vërtetës, le t’i kthejmë sytë dhe kujtesën pak vite më parë. Si në të gjithë vendin, edhe në Sarandë kursi i zhvillimit të turizmit ka qenë disi kuturu, i pa organizuar dhe rastësor. Zhvillimi ishte i mbështetur në instinktin e sipërmarrësve privatë dhe në mikpritjen e qytetarëve sarandjotë. Shteti nuk ishte në gjendje ta mbështeste me programe, ta ndihmonte dhe të frymëzonte sektorin e turizmit, por mbeti një vëzhgues dhe shikues pasiv në iniciativën private të sipërmarrësve. Të gjitha projektet e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit erdhën vetëm nga investitorë privatë. Pikërisht, këtu duhet të qëndrojmë dhe të bëjmë një pikënisje të re. Shteti dhe organet e tij i kanë shumë “borxhe” Sarandës, për sa i përket turizmit. Por jo vetëm Sarandës, por edhe çdo qytetari dhe sipërmarrësi që ka investuar, jo vetëm në turizëm, por edhe në degët e tjera që kanë lidhje me të. Nuk po ndalem te produkti i pasur dhe te alternativat e turizmit të Sarandës. Për to është folur me mijëra herë dhe janë bërë premtime; janë shfaqur ide; janë hartuar programe, si nga brenda vendit, por edhe nga jashtë tij. Por dua të ndalem në disa koncepte dhe mendësi që e pengojnë zhvillimin e turizmit në këtë vend.
E para është se Saranda është prishur, betonizuar dhe nuk mund të japë më në këtë sektor, dhe e dyta, se për të gjitha këto fajin e ka pushteti vendor apo filanët dhe fistekët. Ndoshta mund të kenë ndikuar dhe pa dyshim që kanë ndikuar edhe këto, por ka ardhur koha që këto mendësi justifikimi ta lëmë mënjanë. Turizmi në Sarandë nuk janë vetëm qyteti dhe pallatet shumëkatëshe të ndërtuara në të. Turizmi në Sarandë është dhe duhet të jetë që nga gjiri dhe kepi i Stillos me plazhe fantastike dhe deri në Borsh. Bregdeti i Sarandës është i mbushur plot me plazhe dhe pamje piktoreske që do t’i kishte zili çdo turist i huaj. Por në shumicën e këtyre plazheve ende nuk ka as rrugë automobilistike për të shkuar e për t’i shijuar. Një pasuri mjaft e madhe e pashfrytëzuar për sektorin e turizmit. Një plazh i “pazbuluar”, i pa frekuentuar, i pa futur në hartën produktit turistik dhe atë ekonomik ,do të ndikonte pozitivisht te hotelieri, te pronari i restorantit, te bari, te peshkatari, te fuqia punëtore, te papunësia, etj. Turizmi është një koncept kompleks që përfshin brenda jo vetëm hotelet dhe ndërtesat e banimit por edhe mjaft anë të tjera të infrastrukturës të cilat e bëjnë më të plotë zhvillimin e kësaj ekonomie. Të njëjtin problem që ne sot e kemi në sektorin e turizmit në Sarandë, fqinjët tanë të Korfuzit e patën në vitet ‘80. Por, sot Korfuzi është një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit ndërkombëtar. Vetëm numri i turistëve të huaj në këtë ishull brenda një viti, që ka sipërfaqe më të vogël se rrethi i Sarandës, është i përafërt me numrin e turistëve që ka e gjithë Shqipëria. Dhe, 85 % e turistëve të huaj të Korfuzit shkojnë atje nëpërmjet transportit ajror dhe vetëm 15 % nepërmjet atij detar. Edhe ky ishull ka patur probleme me ndërtimet pa leje. Mirëpo, edhe para viteve ’90, potenciali turistik i Korfuzit ishte pothuajse sa ky potencial që ka rrethi i Sarandës sot. Korfuzi numëron mbi 100.000 shtretër në turizëm dhe mbi 6.500.000 natëfjetje nga turistët e huaj brenda një viti. Ata synojnë të kapin shifrën e 800.000 turistëve vetëm nëpërmjet aeroportit. E përmenda shembullin e Korfuzit, jo thjesht për analogjinë e zhvillimit të turizmit, por edhe për të nxitur ambicien për ta parë më qartë perspektivën tonë turistike. Kjo perspektivë është, jo thjesht teorike, por për Sarandën edhe praktike.
Turizmi në Sarandë në një pjesë të madhe vjen nga Korfuzi, të cilin duhet ta studiojmë më mirë dhe ta vëmë në praktikë. Problemi i dytë që doja të theksoja ka të bëjë, jo vetëm me të metat dhe dobësitë e pushtetit lokal, por me konceptimin se si shteti dhe organet e tij e shikojnë zhvillimin e turizmi në këtë zonë. Edhe për këtë problem është shkruar dhe thënë mjaft. Sa më shpejt dhe sa më saktë ta kemi këtë konceptim, do të shtoja këtu edhe bashkëpunimin e shtetit me privatin, aq më shpejt do të kemi rezultate turizmin e bregdetit të Sarandës. Ky qytet i ka të gjitha mundësitë për një zhvillim bashkëkohor, për t’u bërë model i zhvillimit turistik, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë/*) Shkrim i vitit 2013/SARANDANEWS.AL///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.