Nga Shkëlqim HAJNO
U çel një mbrëmje më parë në galerinë e arteve pamore ‘ART Saranda’ ekspozita e piktorit Gjergji Meta, një artist i disa zhanreve pamore me aktivitet prej tri dekadash në Tiranë dhe me një cv të larmishme të krijimtarisë së tij brenda e jashtë Shqipërisë.

Në mbi 50 punime kryesisht pejzazhe e kompozime të realizuara në formate të mëdha, të mesme e të vogla, Meta e ravijëzon veten si dashnor i vjeshtës dhe vellove urbane, i romantizmit dhe pejzazheve me shi, si gjuetar i vjeshtës së artë dhe refleksioneve që mëtonjnë anën e ngrohtë dhe algoritmet urbane pa lënë mënjanë stilin e tij të natyrave të qeta duke mërguar prej trajtave klasike që ka mësuar të konsumojë syri i vizitorit të zakonshëm.


Vizitorët e parë që ishin mysafirët e të enjtes mbrëma në Galerinë ‘Art Saranda’ që menaxhohet nga piktori i njohur Lefter Çeko, ishin njerëz me interesa artistike, njerëz të botës së artit dhe letërsisë, njerëz te e mediave, përfaqësues të bashkisë Sarandë sektori i promovimit të turizmit kulturor, etj,.

Pas një prezantimi të autorit nga Çeko, i cili u përpoq të skiconte pak a shumë profilin artistik të autorit, pjesëmarrësit shijuan veprat kualitative të Gjergj Metës, duke ‘lundruar‘ në botën shpirtërore e krijuese të tij, në imazhet e befta që janë shprehje e një artisti cilësor dhe dinamik në një periudhë mbi dy dekada dhe në një shtrirje kohore e gjeografike interesante.

Pjesë integrale e ekspozitës “Gjergj Meta, Ekspozitë personale 10-25 korrik 2025, ishte padyshim edhe salla apo siç mund ta quajme ‘pavioni‘ i artit modern dhe abstrakt të tij, ku pulson një botë e brendshme në kërkim dhe përsiatje të vazhdueshme si ajo gryk’ e vullkanit me shkulme magme të llavës së nxehtë që nuk pushon kurrë.
PËR AUTORIN dhe guximin estetik të tij- Gjergj Meta ka lindur në qytetin industrial të Memalijat, një oaz sociokulturor me jetë mjaft aktive. Në fëmijërinë dhe rininë autorit (ka lindur ne v.1968) , u rrit në një familje artistësh ku një vëlla i tij ishte aktor në estradën e qytetit (e cila mëkoi talente të veçanta si Agron Llaka e Medi Malkaj), në një familje me një poet lirik si Luan Meta (i ‘shkollës poetike’ të Tepelenës) dhe, mes librave të pafunda të një biblioteke nga më të pasurat në Memaliaj, nga drit’ e të cilëve ka përfituar edhe Gjergji Meta, piktori i ardhëm që mbaroi studimet e larta në v. 2002 në Akademninë e Arteve të Bukura .

Meta, ka qenë prezent prej vitit të largët 1987 në një lumë ekspozitash të përbashkëta që startojnë me Tepelenën për të vijuar ngado: në Universitetin e Arteve, në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Kosovë, Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar, më tej: në Itali (shumë herë), USA, Gjermani, Spanjë, etj,etj,.

Expo personale të Metës. Edhe ato kanë një rrugëtim të gjatë: Në Sarandë, Tepelenë, Galeria Zeta, Universiteti i Arteve, “Twin Towers”, Muzeu Historik Kombëtar, Plazza d’oro Tiranë, Vlorë,, etj, etj,.

ART*SARANDA-Është galeria e arteve pamore në Sarandë e pagëzuar kësisoj nga Lefter Çeko vite më parë kur një nga titullarët e bashkisë asokohe, firmosi si rrallë herë nga vendimarrësit lokalë, gjënë e duhur në vendin e duhur për artin dhe kulturën në Sarandë: të vendoste në këtë vend, një piktor me ambicie që nuk vegjeton, që nga boshi, asgjëja, të ngrinte dora-dorës një institucion të artit ku prej vitesh pasurohet jo vetëm me vepra të reja arti por, më tepër se kaq, i sjell rajonit jugperëndimor të vendit me epiqendër Sarandën, qindra-mijëra frekuentues e konsumatorë të arteve pamore, turistë nga pika të ndryshme të globit që të shijojnë astet kulturore e artistike. ART*SARANDA ËSHTË NJË DIMENSION i veçantë në jetën kulturore artistike të këtij rajoni./SARANDANEWS.AL///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit