SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Sarandë, dy kroçera me rreth 464 turistë vizituan qytetin bregdetar

Nga Klodi SARAÇINI

Porti i Sarandës vijon të jetë destinacion i kroçerave edhe këtë fundshtatori.

Autoritetet Portuale të Portit të Sarandës bënë të ditur për ATSH-në se “gjatë ditës së sotme në port mbërriti kroçera “Silver Whisper” me 365 turistë, me kombësi të ndryshme, por mbizotëronin më shumë amerikanë”.

Kjo kroçerë erdhi nga porti i Kotorit dhe më pas u nis drejt portit të Gallipollit në Itali.

Pasagjerët e saj kanë preferuar guidat turistike për të vizituar Sarandën, qytetin antik të Butrintit, Kantinën e Verës në Delvinë, Syrin e Kaltër dhe Gjirokastrën.

Ditën e sotme në port mbërriti edhe kroçera “Emerald Azzurra e kompanisë Emerald Cruises me 99 turistë. Anija turistike erdhi nga Kotori dhe portin pasaardhës do të ketë Korfuzin. Turistët preferuan guidat turistike të planifikuara dhe të prenotuara më herët.

Qyteti i Sarandës ka filluar që në muajin prill të këtij viti të presë turistët e parë me kroçera, të cilët gjatë pikut të sezonit turistik shënuan edhe një fluks të shtuar.

Nga 1 janari deri më 3 shtator në portin e Sarandës kanë hyrë dhe kanë dalë 560 mijë udhëtarë me tragete, kroçera dhe anije turistike, duke shënuar një fluks 21% më shumë se në periudhën janar-gusht 2024. ///

error: