Komisioni për Ekonominë dhe Financat mori sot në shqyrtim projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995 “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995 “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit)” dhe Dekretit nr. 1049 datë 27.3.1995 “Për disa plotësime në dekretin nr. 1030, datë 23.2.1995” të ndryshuar.
Projektligji u prezantua nga Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua për komisionin nga deputetja Antoneta Dhima. Gjatë parashtrimit të projektligjit, Kadia sqaroi se nisma parashikon shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së bonove të privatizimit deri më datën 31 dhjetor 2023, duke u dhënë mundësi qytetarëve dhe individëve që posedojnë ende bono, që ti përdorin ato në procesin e privatizimit të pronës shtetërore, në llogaritjen e formulës së privatizimit për punonjësit në shoqëritë aksionare dhe në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale.
Deputetja Antoneta Dhima në cilësinë e relatores, pasi bëri një përmbledhje të procesit dhe ndryshimeve ligjore që janë ndërmarrë ndër vite për zgjatjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit, sqaroi se projekt-akti është hartuar edhe si përgjigje e kërkesës së Avokaturës së Shtetit lidhur me dhënien e zgjidhjes përfundimtare të rasteve kur shteti shqiptar ka detyrim kthimin e bonove të privatizimit në zbatim të një vendimi gjykate. Dhima vlerësoi më tej se ndryshimi i afatit të përdorimit të bonove, do të krijojë lehtësime në procesin e privatizimit me të drejtë parablerjeje për ish-pronarët e truallit, si dhe subjektet që kanë objekte me kontrate qiraje apo enfiteoze, si dhe në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale nëpërmjet ASHK-së.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare///
ME SHUME LAJME
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.