SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Situata në kufi/ Meta: Përgjegjësia e qeverisë të kujdeset për shtetasit e saj. Nuk u informuan për kushtet

Presidenti Ilir Meta reagoi sot ndaj situatës së krijuar në pikat e kalimit kufitar me Greqinë.

“Ditët e fundit të gjithë jemi tronditur nga situata e jashtëzakonshme humanitare që u krijua në Kakavijë, ku mijëra emigrantë dhe shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshuar, u lanë me ditë të tëra të braktisur dhe në kushte tejet të vështira”, tha Meta.

“Kam qenë gjithmonë dhe vazhdoj të mbetem bashkëpunues me qeverinë, për t’u bërë pjesë e sensibilizimit e duke vepruar dhe apeluar vazhdimisht mbi përgjegjësinë që secili duhet të marrë për të kapërcyer së bashku, me sa më pak kosto, situatën e pandemisë COVID-19 në Shqipëri”, theksoi Meta.

“Situata e krijuar në Kakavijë ka të bëjë vetëm me përgjegjësitë e paushtruara në kohën e duhur nga ana e qeverisë shqiptare ndaj shtetasve të saj. Ashtu siç ka ndodhur shpeshherë, qeveria gjen justifikimet duke drejtuar gishtin nga ana tjetër e kufirit ndërkohë që është përgjegjësia e saj parësore të marrë të gjitha masat dhe të kujdeset në kohën e duhur për për shtetasit e saj”, nënvizoi Meta.

“Çfarë informacioni dhe sqarimi u është dhënë njerëzve që udhëtojnë jashtë vendit dhe në mënyrë të veçantë atyre që udhëtojnë për në Greqi?  Çfarë paralajmërimesh dhe parashikimesh në kohën e duhur ka bërë qeveria shqiptare?  A ka patur ndonjë njoftim zyrtar nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme mbi kuotën e leje kalimit prej 700 personash në ditë? Përgjegjësia është vetëm mbi qeverinë shqiptare dhe shtetin”, shtoi Meta.

“Radhë të gjata ka patur edhe në situata normale pasi pika e kalimit në Kakavijë mban një ngarkesë mjaft të madhe në qarkullimin me shtetin fqinj, dhe tradicionalisht muaji gusht mbetet tepër i ngarkuar, aq më tepër në kushtet e sivjetshme të jashtëzakonshme të pandemisë, ku kërkohej një trajtim krejt i veçantë, përmes informimit, parapërgatitjeve dhe planifikimeve në mënyrë që të parandalohej ajo që ndodhi dhe që i tronditi të gjithë”, u shpreh Meta.

“Radhët e gjata kilometrike të shqiptarëve në kufi, sidomos në kushtet e pandemisë janë të pajustifikuara nga autoritetet tona. Një qeveri e përgjegjshme nuk  reagon pas krijimit të situatave të jashtëzakonshme, por ajo i parandalon situata të tilla që cenojnë jo vetëm integritetin dhe dinjitetin e shtetasve, por rrezikojnë edhe shëndetin e mijëra qytetarëve që kaluan ditë dhe netë të tëra në kushte të vështira”, theksoi Meta.

“Askush nga institucionet nuk i njoftoi qytetarët para se të niseshin mbi kushtet e hyrjes në kufirin me vendin fqinj.  As për tamponët në 72 orët e fundit, as për rezultatin e përkthyer në anglisht, dhe asnjë informacion tjetër nuk u dha. E për më tepër qeveria fajësoi edhe vetë qytetarët për krijimin e radhëve të gjata. Kjo është e pafalshme dhe e papranueshme sepse është vetëm papërgjegjshmëri”, tha Meta.

Meta falenderoi median në mënyrë të veçantë, “për rolin e jashtëzakonshëm që luajti për informimin dhe sensibilizimin mbi atë situatë dhe vuajtjet e qytetarëve shqiptarë”.

“Falënderoj gazetarë të cilët u erdhën në ndihmë shumë prej familjeve dhe madje në një rast edhe falë kontributit të tyre shpëtoi jeta e një fëmije 11 muajsh”, tha ai.

Ne, shtoi Kreu i Shtetit, “jemi një vend rekord për sa i takon numrit të emigrantëve, ndaj të gjithë dhe në mënyrë të veçantë Kryeministri, Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, për vetë kushtet e pandemisë, dhe të gjitha strukturat kryesore duhet të ndjekin me përparësi lëvizjen dhe qarkullimin e shtetasve tanë. Duhet të freskojnë dhe të përcjellin në mënyrë të përditshme informacionin mbi lëvizjen jashtë kufijve dhe mbi të gjitha qeveria duhet të sigurojë tamponë falas për qytetarët tanë”.///(marre nga ATSH///

error: