SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Taksa për pasurinë e paluajtshme, Sahitaj: Bonus zbritje deri në 50 % të vlerës për banesën e parë

Qeveria ka hedhur ditët e fundit për konsultim publik projektligjin “Për taksën e pasurive të paluajshtshme”, i cili do t’i hapë rrugën taksimit bazuar në vlerën e tregut të pasurive.

Drejtori i përgjithshëm i Taksës së Pasurisë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Lavdërim Sahitaj në një intervistë për ATSH-në, bën të ditur se ligji ka për synim forcimin e portofolit të financave të bashkive.

Pavarësisht nivelit të taksimit, Sahitaj tha se qeveria do të japë një bonus zbritje deri në masën 50 % të vlerës së taksueshme të pasurisë, për banesat e para të qytetarëve.“Ligji në tërësi sjell disa risi që kanë të bëjnë me centralizimin e të gjithë informacionit të taksave të pasurive në të gjithë vendin dhe ky centralizim vjen nëpërmjet një sistemi që është kadastra fiksale e instalur pothuajse në të gjitha bashkitë e vendit”, u shpreh Sahitaj.

Risia kryesore, vuri në dukje ai, lidhet me taksimin, i cili do të kalojë nga taksimi me çmim reference, te taksimi bazuar në vlerën e tregut të pasurive, që është një ndër praktikat më të mira rajonale dhe europiane.

“Kalimi mbi bazën e vlerës do të thotë taksim më të drejtë për të gjithë qytetarët dhe bizneset për pronën”, deklaroi Sahitaj.

Sahitaj, po ashtu bëri të ditur se në pr/ligj janë parashikuar edhe disa kategori që do të përjashtohen nga taksimi.“Përjashtohen nga taksa njësitë rezidenciale të ndërtesave, të deklaruara si vendbanim, në pronësi ose posedim të kryefamiljarëve që përfitojnë pension pleqërie, pension invaliditeti apo pension social, personat që trajtohen me ndihme ekonomike, banesat sociale, si dhe strukturat akomoduese, “hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special”, si dhe njësitë e ndërtesave që janë pasuri kulturore nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme dhe që përdoren vetëm për qëllime jofitimprurëse”, tha Sahitaj.

Pronat më përpara ishin të grupuara në kategori. “Në projektligjin e ri janë të ndara në disa nënkategori, që do të thotë se ne kemi vajtur më afër objektivit për të qenë sa më të saktë dhe korrekt me taksimin që do të bëhet nesër për qytetarët”, u shpreh ai.Sahitaj theksoi se propozimi i shkallës së taksimit për banesat është 0.1-0.2 %. Për parcelat për funksion tregtar 0.15-0.3 %, ndërsa për parcelat pronë bujqësore në nivelin 0.1-0.3 %.

“Nuk ka ndryshim të madh në vlerë, pasi do të aplikohet zbritja e bonusit që do të thotë se qyetarët nuk do të kenë barrë të shtuar, por ajo që ne synojmë është të bëjmë një taksim sa më të ndershëm dhe sa më gjithëpërfshirës të gjithë pasurive dhe njësive të biznesit. Për shembull: nëse sot në Tiranë një qytetar paguan rreth 40 euro për një ndërtesë, me taksimin e ardhshëm mund të paguajë 50 euro, pra do të ketë një shtesë prej rreth 10 euro, për shkak të bonusit që do të zbritet. E njëjta edhe për bizneset”, thotë Sahitaj.Duke folur për vlerën e taksës që do të mblidhet, Sahitaj tha se ende nuk ka shifra të sakta, pasi pr/ligji mund të ndryshojë. Por në bazë të disa përllogaritjeve për bashkinë e Tiranës, sipas tij, parashikohet të mblidhen rreth 20 milionë dollarë më tepër.///

error: