SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Tavo: Situata drejt normalizimit pas reshjeve të dendura në Himarë

Në Himarë reshjet e shumta të shiut kanë sjellë daljen nga shtrati të përroit që kalon në mes të qytetit.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo tha sot për ATSh-në se “ditën e sotme Himara u përfshi nga moti i keq, ku reshjet e shumta të shiut sollën edhe daljen nga shtrati të përroit. Strukturat e bashkisë janë në terren për të eliminuar pasojat e vërshimit të ujërave në qytetin e Himarës dhe në zona të tjera”.

Sipas tij, ndërprerja e reshjeve ka ulur intensitetin e prurjeve, por dalja nga shtrati e përroit ka sjellë depozitime balte dhe materialesh inerte, të cilat kanë krijuar problematika në rrugë dhe në mjedise të tjera publike.

Sipas tij, po vijon puna për normalizimin e plotë të situatës.

“Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut u përmbytën rrugët, ndërsa uji  depërtoi edhe katin e parë të ndërtesës së Komisariatit të Policisë Himarë”, tha Tavo.

Kryebashkiaku Tavo informoi se efektivët e policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke ngritur pajisjet nga toka për t’i shpëtuar nga dëmtimi.

Ndërkohë që bashkia Himarë bën apel që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht me automjete, dhe aty ku është e mundur, të bashkëpunojnë për largimin e degëve dhe mbetjeve të pemëve të transportuara nga ujërat.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike me reshje shiu me intensitet të lartë dhe dëbore në zonat në veri-verilindje e juglindje të vendit. (Klodi SARAÇINI).///

error: