Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Radio Televizionin Shqiptar si dhe Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Paraunveritar (ASCAP), organizoi një ekspozitë arkivore me dokumente të ish- Sigurimit të Shtetit mbi lëvizjet demokratike 1990-1991, foto dhe video si dhe prezantoi projektin e platformës digjitale “Të mësojmë mbi të shkuarën – burime arsimore të hapura, 1944-1991”, një platformë e hapur për profesionistët e arsimit parauniversitar.

Aktiviteti, i mbajtur në kuadër të 20 Shkurtit 1991, ditë e kujtesës kombëtare, që shënoi ndryshimin rrënjësor të sistemit politik në vend, u zhvillua me praninë e protagonistëve të ngjarjeve deputetëve të komisionit të sigurisë, edukimit dhe ligjeve, bashkësisë se studiuesve, historianëve, grupeve të interesit, profesionistëve të arsimit dhe të rinjve, si dhe Ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.
Të pranishmit fillimisht u njohën me kolanën prej 70 dosjesh voluminoze nga arkivi i Autoritetit, në të cilat përshkruhen ngjarjet më të rëndësishme që shoqëruan Shqipërinë menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, rritjen e revoltës popullore por edhe psikologjinë e regjimit diktatorial, shtypjen dhe dhunën që aplikoi edhe pse ishte në vitin e fundit të jetës së tij.

Mes tyre veçojmë : “Për zbulimin e parandalimin e një grupi me veprimtari armiqësore, Shkodër”, “Mbi ngjarjet e ndodhura ne qytetin e Kavajës”, “Për disa fletushka që bëjnë thirrje për demonstrate dhe nxitje të mëtejshme të trazirave në Durrës etj”, “Informacion për ndjekjen në rrugë operative të demonstratës së heshtur në datës 28.1.1990 në Tiranë, problemi i centralizuar “Pseudodemokratët”, “Informacione për përpjekjen për rrëzimin me dinamit të monumentit të Enver Hoxhës në Shkodër”, “Për disa të dhëna mbi reagimet e komentet për krijimin e Partisë Demokratike dhe rreth situatës aktuale”, “Për disa të dhëna, probleme shqetësuese e komente negative në shkollën e bashkuar të oficereve ”Enver Hoxha” etj
Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, pjesëmarrëse e grevës së urisë së Studentëve në shkurt të vitit 1991 u shpreh se, “në këtë ditë të rëndësishme për lirinë e shqiptarëve është edhe momenti më i mirë të reflektojmë jo thjesht për atë çfarë ka kaluar nën regjimin komunist shqiptarët, por çfarë kemi bërë dhe duhet të bëjmë që komunizmi të njihet nga ata që nuk e përjetuan atë, gjenerata e re. Ajo kohë dhe ai mundim nuk duhet të tretet tek gjërat e harruara pasi nuk është thjesht kujtim por një mekanizëm kundër njeriut, shoqërisë dhe jetës së lirë. Faktografia, historia, dosjet, shënimet, ngjarjet duhet të risjellin atë që ka ndodhur siç ka ndodhur për shkak të nevojës për një demokraci të sigurtë që sfidon përpjekjet për rikthimin në forma të reja jo më të një komunizmi shtypës por të një autokracie monopoliste që asfikson lirinë dhe demokracinë e qytetarëve”.

Të pranishmit dëgjuan më pas dëshmitë e disa prej protagonistëve të atyre ngjarjeve dramatike. Për auditorin e gjerë folën aktorja e mirënjohur Rajmonda Bulku, regjisori Kujtim Cashku, ish-drejtues i Policisë së Shtetit Mit’hat Havari, Edmon Vrapi, Akile Tasi, Sajmir Maloku, Mallëngjim Skënderaj, etj të cilët sollën përjetimet e tyre të asaj kohe dhe vunë theksin tek nevoja e shoqërisë për të qartësuar historisë, për të treguar mbi atë regjim sistematik shtypës, i cili u ndal vetëm përmes një përpjekje të vazhdueshme shumëvjeçare dhe nën frymën e ndryshimeve antikomuniste në Evropën Lindore dhe Qendrore.
Aktiviteti vijoi me prezantimin e projektitit të platformës digjitale “Të mësojmë mbi të shkuarën-burime arsimore të hapura, 1944-1991” krijimi i të cilës vjen si nevojë e shoqërisë për t’u njohur më thellë dhe më drejt me pasojat që sjellin regjimet komuniste duke vënë theksin te nevoja për të sfiduar historiografinë e njëanshme, burimet e censuruara, kohën që rrjedh për të siguruar rrugën europiane qe kërkon një rini të qartë për kostot e diktaturës komuniste.
Ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, Prof. Evis Kushi tha me këtë rast se, “një komb që harron të kaluarën e tij nuk ka të ardhme ndaj kujtesa është shumë e rëndësishme për ngjarje si 20 shkurti e të tjera që lidhen me komunizmin. Kujtesa na ndihmon që ngjarje të tilla të mos përsëriten. Të rinjtë tanë nuk i kanë përjetuar ato ngjarje. Ata duhet t’i dinë, duhet t’i njohin ndaj ne na lind detyra dhe përgjegjësia që t’u tregojmë të vërtetën, t’u tregojmë historinë”.
Prof. Aljula Jubani, eksperte për arsimin, prezantoi analizën mbi pasqyrimin e periudhës 1944-1991 në kurrikulën e Arsimit Parauniversitar.
Synimi i platformës është ndihma ndaj profesionisteve të arsimit e sidomos mësuesve që të amendojnë mësimdhënien e historisë, gjuhës e letërsisë dhe edukimit qytetar e filozofisë, duke përdorur mjetet ilustruese të besueshme dhe tërheqëse, aktuale dhe relevante.
Nisma e Autoritetit për ndërtimin e platformës digjitale vjen në kuadër të plotësimit të pikave të marrëveshjes ndërinstitucionale të lidhur me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, nënshkruar më datë 18.03.2021, e cila ka parashikuar përfshirjen në kurrikulat shkollore të ngjarjeve që lidhen me ditët e kujtesës e figura historike që kanë lidhje me to.


Në këtë nismë Autoriteti ka kërkuar dhe gjetur bashkëpunimin e Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Radio Televizionin Shqiptar të cilët do të kontribuojnë me dokumentet, foto dhe filmime që janë krijuar gjatë kohës së regjimit komunist nga burime zyrtare. Këto burime, ndër të cila, dokumente arkivor, artikuj, filmime dhe foto do të inkuadrohen në këtë platformë digjitale, e cila do të shërbejë profesionistëve në njohjen dhe studimin e ngjarjeve që shenjuan historinë e Shqipërisë prej vitit 1944 deri në vitin 1991.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri