SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Zbardhet vendimi i Kushtetueses për Butrintin, Zhupa: Padi në SPAK

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të enjten vendimin, që rrëzoi me 5 vota pro dhe 4 kundër kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

Vendimi i zbardhur qartësonte konkluzionet e gjyqtarëve që morën pjesë në gjykim.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit deklaroi sot se do të dërgojë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese për konflikt interesi.

“Tashmë që kemi edhe vendimin do të duhet ti drejtohemi me një padi në SPAK, pasi duam që kjo strukturë të gjykojë veprimtarinë e organeve shtetërore, që në momentin e fillimit të kësaj marrëveshje, veprimtarinë e ADF për këtë marrëveshje dhe deri tek veprimtaria e tre gjyqtarëve që janë në konflikt interesi”, tha Zhupa.

“Ky vendim është marrë me një shumicë të brishtë 5 me 4. Në nëntor 2023, në seancë plenare, si përfaqësuese e palës kërkuese, kërkova përjashtimin e tre gjyqtarëve. Konkretisht gjyqtarëve Olta Zaçaj, Gent Ibrahimi dhe Sandër Beci. Sigurisht në atë kohë, ne nuk kishim indicie se si do të ishte vendimmarrja sot, por kishim indicie për konfliktin e interesit dhe për sjelljen aspak institucionale dhe procedurale që këta gjyqtarë kishin mbajtur gjatë kohës dhe seancave gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese”, tha Zhupa.

Ajo tha se “Olta Zaçaj, fatkeqësisht nuk arriti të ngrihej në nivelin që duhet të ketë si kryetare e Gjykatës Kushtetuese dhe shkeli gjatë gjithë kohës procedurën dhe kaloi edhe në fazën finale të parashtrimeve finale pa bërë fazën e administrimit të provave”.

“Sot, ne marrim vesh nga vendimi dhe një fakt tjetër. Gjykata ka marrë shkresa nga Bashkia Sarandë dhe ka komunikuar me Bashkinë Sarandë, me demek për të kuptuar nëse janë shkelur kompetencat. Siç i detyron ligji, ata duhet të na vënë në dijeni për çdo shkresë që marrin palët, veçanërisht kërkuese, që edhe ne do të japim opinionin tonë. Ne me përgjegjësi të plotë ju themi që deri më sot s’kemi marrë nga Gjykata Kushtetuese asnjë shkresë, me asnjë datë, me asnjë numër protokolli, ku të marrim komunikimin e tyre me Bashkinë Sarandë”, u shpreh Zhupa.///

error: