Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky iu drejtua sot Kuvendit të Shqipërisë drejtpërdrejtë nga Kievi, nëpërmjet platformës Zoom.
Zelensky uroi fillimisht besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.
“Dje myslimanët në mbarë botën festuan Fiter Bajramin, që shënon fundin e Ramazanit, Muajin e Shenjtë të agjërimit për Islamin. Ju përgëzoj për këtë festë”, tha Zelensky.
“Ju uroj atë që të gjithë ukrainasit sot urojnë njëri-tjetrin, paqen. Gjatë këtij muaji myslimanët ukrainas dhe e gjithë shoqëria jonë nuk kanë pasur asnjë ditë të vetme të qetë dhe paqësore. Kështu që nga 24 shkurti”, theksoi ai.
“Rusia i ka shndërruar të gjitha ditët tona në një rrezik vdekjeprurës. Dje si pasojë e një bombardimi raketor mbi qytetin tonë të Odesës, një djalë 14-vjeçar ka humbur jetën. E plagosur ka mbetur dhe një vajzë 17-vjeçare. Çdo ditë kemi një realitet të tillë. Çdo ditë ukrainasit humbasin fëmijë nga sulmet ruse”, u shpreh ai.
“Më shumë se 600 fëmijë kanë rënë tashmë viktima të pushtimit rus. 220 fëmijë u vranë dhe 406 u plagosën. Sot është një ceremoni lamtumire për gazetaren Vera Gyrych, e cila u vra nga një raketë ruse në shtëpinë e saj në kryeqytetin e shtetit tonë, Kiev. Raketa goditi shtëpinë e saj. Një ndërtesë e zakonshme shumëkatëshe, e cila ndodhet pranë qendrës së Kievit”, tha Zelensky.

“Ushtria ruse po godet qytetet dhe fshatrat tona me artileri, me avionë. Nuk kursen raketat. Në qytetin tonë më të madh në lindje të vendit, në Kharkiv, 1/5 nga të gjitha shtëpitë është shkatërruar tashmë. Bëhet fjalë për më shumë se 2500 shtëpi të shkatërruara”, u shpreh ai.
Duke folur për qytetin e Mariupolit, Zelensky tha se, “u shkatërrua plotësisht. Nuk ka ndërtesa të pa shkatërruara. Asnjë ndërtesë. Imagjinoni, është një qytet me gjysmë milion banorë, i cili ka qenë i rrethuar nga ushtria ruse që nga fillimi i marsit, duke mos lejuar as ujin, as ushqimin, as ilaçet. Asnjë ditë pa ndaluar duke bombarduar. Është gati një qytet plotësisht i djegur”.
“Mund të merret çdo lloj fshati apo qyteti. Edhe skenat duke patur largime të pushtuesve rusë do të jenë të njëjta. Rreth shkatërrimit dhe vrasjes, rreth skenave të terrorizmit, skenave të zhvendosjes me forcë të njerëzve në Rusi, për plaçkitje totale të gjithçkaje në territoret e pushtuara”, shtoi ai.
“Të moshuarit që i mbijetuan të dy pushtimeve, përgjatë Luftës së Dytë Botërore, pushtimit nazist dhe pushtimit aktual, nga ushtria ruse, thonë se nuk kanë parë mizori të tillë 80 vjet më parë. Tani ata po shikojnë ushtrinë ruse që gjuan fëmijët. Ata i shikojnë njerëzit e zakonshëm, fshatarët, të cilët janë zënë robër dhe janë detyruar ditë e natë të shtriheshin në tokë, në temperatura nën zero. Rezulton se ushtria ruse ka një metodë të veçantë të luftimit në sezone të ftohta, detyrojnë të mbledhin ujë në këpucë, veshin këpucët dhe kështu të rrinë të shtrirë në tokë. Njerëzit e pushtuar kanë filluar të mos ndjejnë këmbët e tyre. Gishtat e tyre janë të ngrirë. Por pushtuesi nuk i lë të ngriheshin dhe të ngroheshin.
Në zonat e çliruara nga ushtria ruse, ne gjejmë vazhdimisht varre të njerëzve të torturuar, njerëz me duart e lidhura, me brinjë të thyera. Shpesh pushtuesi nuk i lejon ata as të varrosin trupat e të vrarëve. Trupat gjendjen në pyje, në bodrume. Duke u tërhequr nga tokat tona, ushtria ruse la edhe të vdekur shumë njerëz në rrugë”, theksoi ai.
Zelensky u shpreh se Rusisë iu kërkua të pushonte zjarrin të paktën në Pashkët ortodokse, por nuk iu përgjigj kësaj kërkese.
“Mendoni, 86 objekte fetare u shkatërruan dhe u dëmtuan nga granatimet. Kishat, xhamitë, shtëpitë e kultit. Ushtria ruse nuk po përpiqet të mbrojë asnjë objekt të kishës. As edhe objektet e kishës ruse nga granatimet e saj”, tha Zelensky.
“Ata nuk duan të ndalojnë sulmin. Ata dëshirojnë të shkojnë më tej. Një përpjekje për të ringjallur tiraninë në nivelet më të këqija të para ndonjëherë në shekullin e 20-të”, theksoi ai.
Zelensky falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës.
“Ju jeni pa dyshim në anën e lirisë dhe të së vërtetës. Faleminderit për hapat konkrete ndaj Ukrainës! Për ndihmën në mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë, për përkujdesjen që ju bëni ndaj njerëzve tanë, fëmijëve tanë veçanërisht. Ky qëndrim i juaji ndaj popullit të Ukrainës, ndaj fëmijëve të Ukrainës në kohë të vështira për ne, më bën të kujtoj Shën Terezën, shqiptaren e kthyer në simbolin e humanizmit në mbarë botën. Ajo mësoi njerëzit se përpjekjet e mira të përditshme, mund të mposhtin të keqen dhe t’i afrojnë ata me shenjtërinë që njerëzit do të kujtojnë brez pas brezi”, u shpreh Zelensky.
“Unë besoj se duke punuar së bashku me të gjithë evropianët në këtë mënyrë, me përpjekjet tona të mira të përditshme ne do të jemi në gjendje të ndalojmë këtë luftë të zhvilluar nga Rusia. Por gjithashtu do të jemi në gjendje të mbrojmë Evropën në të ardhmen nga një përsëritje e një kërcënimi të tillë”, theksoi Zelensky.
Zelensky nënvizoi se, paketa e 6-të e sanksioneve po diskutohet në BE, teksa theksoi se, duhet të përfshijë embargon e naftës dhe bankat ruse duhen shkëputur plotësisht nga sistemi financiar global.
“Ju duhet t’ia hiqni këtë mundësi Rusisë në kohën e duhur. Ju kërkoj të mbyllni portat për anijet ruse. Të kufizoni ardhjen e turistëve rusë. Nuk mund ta dini se kush erdhi tek ju. Ndoshta vrasësit që ishin në Bucha, apo ndoshta xhelatët e Mariupolit. Apo ndoshta ndonjë nga ata që po punon sot për të minuar vendin tuaj”, vijoi Zelensky.
“Që prej vitit 2014 kur Rusia pushtoi gadishullin tonë të Krimesë dhe filloi luftën në Donbas, OKB-ja ka blerë mallra dhe shërbime prej saj, për të paktën 2 miliardë e gjysmë dollarë. Kjo thjesht është e padrejtë. Nuk duhet të ndodhte”, tha ai.
“Dekada më parë, Ukraina dhe Shqipëria zgjodhën rrugën e demokracisë dhe integrimin evropian. ne nuk devijuam nga kjo rrugë. Dhe bashkë ne jemi të përkushtuar për zhvillimin e lirisë të një Evrope të bashkuar. Unë besoj që kur të vijë koha për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës në BE, vota juaj do të jetë e dëgjueshme në mbështetje tonë. Jam i sigurt se tani të gjithë në botë po tregojnë karakterin e tyre të vërtetë. Dikush është i madh në përmasa, por shumë i vogël kur duhet të jesh i guximshëm. Dhe dikush është i vogël në hartë, por ka një zemër, një përzemërsi më të madhe. Faleminderit Shqipëri. Ju falënderoj për mbështetjen tuaj. Lavdi Ukrainës”, përfundoi Zelensky.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.