Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa i drejtoi sot një kërkesë Presidentit Ilir Meta, për mosdekretimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
Në deklaratën për mediet Zhupa u shpreh se, Presidenti nuk duhet të dekretojë ligjin pasi është antikushtetues.
“Në cilësinë e deputetes së Partisë Demokratike të qarkut Vlorë, përfaqësuese edhe për qytetin e Sarandës, Konispolit dhe Finiqit dhe si deputete relatore e komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik e kam kundërshtuar me argumente këtë ligj. Nëpërmjet kësaj letre Ju kërkoj mosdekretimin e këtij ligji bazuar në arsyet e renditura shkurtimisht më poshtë, të cilat shpjegojnë përse ky ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe interesin publik”, shprehet ajo.
Zhupa argumenton se, ligji është antikushtetues dhe bie në kundërshtim me Konventën e Parisit 1972.
“Konventa e Parisit, për Trashëgiminë Kulturore Botërore, 1972, shprehet se parimi themelor i saj është roli i padiskutueshëm parësor i shteteve anëtare, “Shtete Palë”, në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre. Neni 4 i Konventës shprehet, mëse qartë, se “detyra” për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore që ndodhet në territorin e tij i takon në mënyrë parësore atij Shteti”. Me transferimin e të drejtave të administrimit shteti Palë ‘heq dorë nga këto detyra” dhe shkel hapur parashikimet e kësaj konvente ndërkombëtare”, tha ajo.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.