Drejtori për Zonat e Mbrojtura Zamir Dedej, u shpreh në lidhje me situatën e zjarreve në vendin tonë se, “deri tani kemi pasur vatra zjarri të vogla duke filluar që nga Thethi, Valbona, një pjesë në lumin Buna, në Kukës në Parkun Natyror të Korab-Koritnikut, në Gjirokastër tek Bredhi i Hotovës, një vatër në Ersekë dhe një në zonën e Munellës në Lezhë”.
Në një prononcim për mediet, Dedej vuri në dukje se, thelbësore është fakti i angazhimit të gjithë strukturave përkatëse, për izolimin e flakëve dhe ndërhyrjen e shpejtë.
“Historia me zjarret filloi në Malin e Tomorrit, në Berat 10 ditë më parë, ku dhe aty patëm një angazhim të Forcave të Armatosura dhe helikopterit për shuarjen e zjarrit. Zjarri në këtë zonë përshkoi 480-500 hektarë sipërfaqe dhe 50 hektarë u dogjën totalisht. Kemi patur më pas vatra të vogla zjarresh, por jemi të angazhuar totalisht në punë për të përballuar këtë situatë. Ne tentojmë të shkojmë sa më shpejt pranë vatrës së zjarrit dhe ta izolojmë. Në momentin që shkohet më vonë, fillojnë problematikat, kjo ndodhi në Karaburun”, – tha ai.
Dedej shpjegoi se, “ne arritëm ta shuajmë vatrën e parë të zjarrit, por u ndezën vatra të menjëhershme pas ‘shpinën tonë’. Ne shohim sot se barinjtë i vënë flakën dhe ne përballemi me një situatë që nuk duhej të ishte e tillë. Kemi të bëjmë me zjarre të qëllimshme që shumë herë mund të mos kenë dëm ekonomik. Por në rastin e Karaburunit duke arritur deri në afërsi të pyllit të Llogorasë, mund të ishte një dëm i madh material”.
Sipas tij, deri tani në Karaburun kemi 1200 hektarë të djegur, sipërfaqe kullotash kryesisht, por ka dhe shkurre të larta rreth 35 hektarë.
Dedej tha se, “situata po normalizohet dhe flakët janë vënë nën kontroll. Shuarja e zjarrit u ndihmua edhe nga lagështia ndërsa sot kemi krijuar një brez të mirë, me rreth 50 forca të FA. Helikopteri bashkë me stafet tona, po punojnë të vënë në kontroll zjarrin në pjesën jugore të Karaburunit, ku dhe ka pasur agresivitet të flakëve”.
“Gjatë ditës së sotme ka patur sinjalizime për tri zjarre në Orosh të qarkut Lezhë, kemi pasur një vatër në Ersekë dhe një vatër tjetër të pakuptimtë në parkun e Valbonës, i cili është në majë të malit, dhe është rasti të mendojmë se zjarri është i qëllimshëm. Ne po vijojmë të bëjmë denoncime në polici, për këto raste që njerëz me qëllime vërtetë të mbrapshta të ndalohen”, deklaroi Dedej.
Ai tha se, shteti ka qenë në këmbë me të gjitha strukturat e veta për të përballur situatën e zjarreve. Dedej e cilësoi zjarrvënien si akt terrorist./ata///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit