SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

𝐅𝐞𝐬𝐭𝐚𝐭 𝐞 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢𝐭 – 𝐚𝐫𝐨𝐦𝐞̈ 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐳𝐞𝐦𝐞̈𝐫 𝐭𝐞̈ 𝐀𝐭𝐡𝐢𝐧𝐞̈𝐬

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi organizoi pritjen festive me rastin e Festave të Nëntorit, në nderim të Ditës së Flamurit, 113-vjetorit të Pavarësisë dhe 81-vjetorit të Çlirimit.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Luela Hajdaraga veçoi arritjet e vitit 2025 për komunitetin shqiptar në Greqi, duke i cilësuar shqiptarët e Greqisë si histori suksesi që ngrenë lart emrin e Shqipërisë me punë, përkushtim dhe integritet.

Ajo u ndal veçanërisht në rolin e rëndësishëm të mësuesve të gjuhës shqipe dhe të lidhjes me brezin e ri, i cili rritet në Greqi dhe mban gjallë gjuhën, identitetin dhe vlerat tona kombëtare, një investim i çmuar për të ardhmen e gjithë kombit.

Burime nga Ambasada bënë të ditur se Mbrëmja gala, me praninë edhe të udhëheqësit të Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë Fitim Gllareva, mblodhi së bashku mbi 400 pjesëmarrës, personalitete nga fushat e artit, kulturës, sportit, akademisë, mjekësisë, shkencës, biznesit, përfaqësues të shoqatave kulturore, të rinj dhe të ftuar nga Shqipëria dhe trevat shqipfolëse, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë uniteti dhe krenarie kombëtare.

Pritja u pasurua nga performanca plot energji dhe sharm të Era Rusit dhe bandës së saj, vallet tradicionale të grupit “Shqiponja” Tiranë, si dhe veshjet tradicionale dhe ekspozita e fotografive të përgatitur me elegancë nga Fondacioni “Tradita AL“, nën kujdesin e Edlira Sulaj.

Produktet autentike shqiptare të sjella nga Fabrika e Uji Tepelene dhe Kantina e Verërave Fani, Berat i dhanë këtij aktiviteti edhe një dimension tjetër të lidhjes me traditën dhe shijet tona.

Kontribut të rëndësishëm në realizimin e kësaj mbrëmjeje dhanë edhe sipërmarrësit shqiptarë, të cilët me punën dhe mbështetjen e tyre tregojnë se komuniteti ynë është një forcë e gjallë, kreative dhe e bashkuar. Ata mbeten shembull i vlerave, solidaritetit dhe potencialit të shqiptarisë në Greqi.

Atmosfera entuziaste e pritjes dëshmoi edhe një herë se, pavarësisht largësisë, Shqipëria rreh në zemrat e çdo shqiptari jashtë kufijve. Festat e Nëntorit vazhdojnë të jenë një moment reflektimi, mirënjohjeje dhe bashkimi për të gjithë ne. /sarandaNews.al///

error: