Nga Vangjel AGORA
(Pjesa e tretë) -Në krye të shkallëve, te rruga e tretë majtas, ngrihej dikur një ndërtesë dykatëshe, e cila sot fatkeqësisht nuk ekziston më. Aty banonte familja e Spiro Çavos, ndërsa vajza e tij, Zamira Çavo, ishte shoqja ime e viteve të gjimnazit. më pas ish zyrat e Bashkimeve profesionale.


Përballë godinës ku banoja unë, aty ku sot është ndërtuar Gjykata e Sarandës, shtriheshin disa banesa të thjeshta prej dërrase, të mbështjella me letër katrama. Ishin baraka modeste, por plot jetë, ku banonin familje e njerëz që me punën, karakterin dhe historitë e tyre u bënë pjesë e pandashme e kujtesës së qytetit.


Duke ngjitur shkallët, në krahun e majtë, në barangën e parë përballë shtëpisë sime, jetonin disa djem beqarë të ardhur nga fshatrat për të punuar në Sarandë. Midis tyre ishte Llambi Stavro, teknik ndërtimi, i cili më vonë u martua me Ana Muzinën, rrobaqepëse dhe këngëtare me talent. Për një periudhë ajo këndoi në Estradën Profesioniste të Sarandës, por, si shumë artistë të asaj kohe, u pengua nga lufta e klasave të vazhdonte rrugën e saj artistike. Aty jetonin edhe rrobaqepësit Thoma Kalcuni, babai i doktor Arjan Kalcunit, dhe Andrea Kashara.

Më tej banonte një familje nga Piqerasi, e cila u detyrua të largohej gjatë viteve të burokracisë. Pas tyre ishte shtëpia e Mustafa Rexhepit, ngjitur me atë të Baki Starijes. Në fund të barangës jetonte nënë Hasoja me tre djemtë e saj: Nuriun, shofer në Bonifikim, Sinanin, magazinier në tregti, Mehmetin dhe vajzën Fajka Sinani, nëna e Ladi Sinanit.
Pak më lart ishte shtëpia e Bastri Hasanit me katër djemtë e tij: Abedinin, Eqeremin, Ahmetin dhe Xhemalin. Pranë tyre banonte Mezan Dino, babai i Sali Hasanit, të njohur nga të gjithë si “Llanua i kinemasë”.

Në vazhdim të rrugës së tretë, përballë shtëpisë së Kole Prokos, babait të Napos dhe Jani Prokos, ndodhej shtëpia e Idriz Mustafait me fëmijët e tij: Bajramin, Nexhin, shoqen dhe mikeshën time të fëmijërisë e rinisë, si dhe Ludin. Ata ishin qiraxhinj në shtëpinë e Mezan Omerit dhe bashkëshortes së tij, Shefika Omeri, një çift i respektuar që nuk pati fëmijë.

Në krahun e djathtë, aty ku më vonë u ngrit godina e Degës së Punëve të Brendshme, jetonin familjet e Baki Starjes, familja Mici, nga e cila doli këngëtarja e talentuar Valentina Mici, familjet e Agron Kokonës, Latif Meçajt me fëmijët Mara dhe Ludmilla, si edhe kompozitori i njohur Limos Disdari me nënën e tij. Në netët e qeta ai luante në piano deri vonë, dhe tingujt e saj mbërrinin deri në ballkonin tim. Muzika e tij më magjepste. Shpesh më thërriste që t’i blija një paketë cigare, dhe unë e bëja me kënaqësi, sepse në këmbim fitoja privilegjin të dëgjoja nga afër meloditë që mbushnin lagjen.
Poshtë, në katin e parë, jetonte familja e Thoma Zhupës me fëmijët Lenin, Vango, Efijeni dhe Petraqin.

Përballë kësaj godine, në një ndërtesë të vogël, banonte familja e Mihal Stolit me djalin e tyre, shokun tim Dhimitraq Stoli, që të gjithë e thërrisnim Taqi.
Midis ish-Postë-Telegrafës dhe godinës ku banoja unë, aty ku sot ngrihet godina e re e Postës, ndodhej dikur oborri me një palmë madhështore dhe një fik të hijshëm. Ishte vendi ynë i lojërave, ku kaluam orë të tëra të fëmijërisë. Aty gjendej edhe kopshti i fëmijëve, kopshti im dhe i shumë brezave sarandjotë.
Ndërmjet godinës së vjetër dykatëshe të Postës dhe shtëpisë sonë ndodhet edhe sot një nga banesat më të bukura karakteristike të Sarandës, e restauruar me shumë kujdes. Ajo mbetet një model se si duhet ruajtur identiteti arkitekturor i qytetit.

Në vitet ’50 aty jetuan familjet e Lefter Partalit me vajzat Tatjana dhe Vasilika, familja e Lefko Lulës dhe Jorgo Roshit me fëmijët e tyre, ku veçoj shokun tim të gjimnazit Stavro Roshi. Më pas banesën e përdorën disa nga drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv të rrethit: familja e Latif Shehut me djalin Besnik, shoku im i pandarë i klasës në shkollën fillore; më vonë familja e Feti Rugjit me fëmijët Luli, Kirovi dhe Sasani, si edhe familjet e Qëndro Cicit dhe Bastri Balacit.
Përballë ish-Postës, aty ku sot ndodhen zyrat e Partisë Socialiste, banonin familja e Sulo Çafkës me vajzën Tefta Gjonça Çafka, familja e Medin Kabos me fëmijët Petriti, Donika dhe shoqen time Vera, familja e Kamber Ahmetit me djemtë Teno dhe Qazim dhe 2 vjajzat, si edhe familja e Sali Veliut me djemtë Agimin, Ladin dhe Tikun.
Më poshtë, përballë ish-Kinemasë Verore, aty ku sot ndodhet Muzeu i Traditës, banonte familja e Pertef Belulit me mustaqe, kapiteni i motoskafit.
Në anën tjetër të Shkallareve, lart rrugës kur zbrisje, jetonin familja e Thanas Lakos me fëmijët Dhimo,Olimbi dhe Jorgo, shokun tim të ngushtë, që u nda nga jeta vite më parë në Greqi; familja e Reshat Bobajt, familja Radomani, familja Kalcuni dhe familja e Gazaliut, i cili u bë i njohur në gjithë qytetin për akrobacitë e jashtëzakonshme që kryente me biçikletën e tij, duke lënë pa frymë edhe të gjithë fëmijët e lagjes.
Poshtë, buzë rrugës, ndodhej dyqani i bukës, ku shërbenin nëna e Taqo Lepurit, të cilën të gjithë e thërrisnim me respekt Hallë Katerina, si edhe nëna e Fatmir Sulos. Fare pranë, në një kthinë të vogël, punonte këpucari Aliu. Ne fëmijët, me pafajësinë e moshës, e thërrisnim “Ali Bithaci”, sepse çalonte në të dyja këmbët. Sot, kur e kujtoj, nuk më vjen ndër mend nofka, por fytyra e tij , duart e palodhura dhe përkushtimi me të cilin u jepte jetë këpucëve të lagjes.
Këta ishin njerëzit që i dhanë frymë Shkallareve të dikurshme. Secili kishte historinë e vet, profesionin, hallet, gëzimet dhe ëndrrat. Të gjithë së bashku formonin mozaikun njerëzor të një Sarande që jeton ende në kujtesën time me të njëjtën ngrohtësi dhe dashuri si dikur.
(Java e ardhshme do të publikohet pjesa e katërt dhe e fundit e këtij rrëfimi, ku do të rikthehemi edhe një herë në Shkallaret e qytetit tim, për të mbyllur këtë udhëtim të paharruar në kujtesën e një kohe që jeton ende brenda nesh)./SARANDANEWS.AL///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI