Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka shpërndarë sot mesazhin e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ajo ka cituar Pompeon duke thënë se “çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë në proceset e vetëqeverisjes demokratike. Demokracitë janë të përgjegjshme para qytetarëve të tyre. Ata respektojnë sundimin e ligjit, mbrojnë jetën dhe pronën, dhe respektojnë liritë, dinjitetin dhe barazinë e çdo personi”.
Pompeo në mesazhin e tij ka theksuar gjithashtu se, “demokracia mbetet aspirata e njerëzve në të gjithë botën sepse secili prej nesh dëshiron të jetë i lirë. Që nga koha kur jemi fëmijë, ne instinktivisht pohojmë aftësinë tonë për të vetëqeverisur, për të marrë vendime që formojnë jetën tonë. Si qytetarë, ne e kuptojmë se duhet të jemi të lirë të angazhojmë të tjerët në debate mbi mençurinë e vendimeve të udhëheqësve të cilëve u besojmë fuqinë për të mbrojtur jetën tonë, pronën tonë dhe liritë tona. Dhe, si qenie njerëzore, ne e dimë që nuk mund ta ndjekim vetëm. Demokracitë janë bashkësi gjithëpërfshirëse të individëve të cilët janë të lirë të punojnë së bashku për të arritur qëllimet që kanë zgjedhur lirisht dhe ato lulëzojnë sepse liria zhbllokon talentet dhe krijimtarinë e të gjithëve”.
“Sot, bota lëkundet nga një prej krizave më të mëdha të shëndetit publik në kohët moderne. Demokracitë, qeveritë autoritare dhe diktaturat sfidohen njësoj nga pandemia e koronavirusit, por vetëm demokracitë janë të lira të debatojnë hapur se si të përgjigjen”, ka thënë ai.
Pompeo ka shtuar se, “demokracitë lulëzojnë në kohë fatkeqësish. Për shkak të lirisë së shprehjes dhe barazisë së të gjithë personave para ligjit, qytetarët e shoqërive demokratike janë në gjendje të përballen së bashku me problemet e shëndetit publik. Individët në kombet demokratike kërkojnë qasje në informacion në mënyrë që ata të mund të mbrojnë veten dhe të tjerët. Dhe shoqëritë që përqafojnë barazinë përpara ligjit e jetojnë atë besim duke ndërmarrë hapa aktivë për të promovuar pjesëmarrjen dhe mbrojtjen e plotë të të gjithë njerëzve”.
“Qeverisja demokratike është larg perfeksionit, por sigurisht që i mund alternativat. Shoqëritë demokratike respektojnë të drejtat e njeriut dhe janë më paqësore, më prosperuese dhe të sigurta. Ne qëndrojmë me njerëz kudo që kërkojnë të jetojnë të lirë, të sigurt dhe me dinjitet nën qeveritë demokratike”, ka përfunduar mesazhin e tij Pompeo.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade
Rregullat për plazhet. Zbardhet kontrata e re, gjoba deri në 400 mijë lekë dhe rastet kur prishet kontrata