SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

150-vjetori i lindjes. Akademia: Gjergj Fishta, Figurë mbizotëruese për botën albanologjike

-Në 150-vjetorin e lindjes së Gjergj Fishtës Akademia e Shkencave organizoi sot konferencën shkencore ad honorem, “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”.

Në këtë konferencë morën pjesë, monsinjor Gjergj Meta, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë;, Padre Jerome Ndo Mih, president i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, akademikë, profesorë, studiues, etj.

Fjala e hapjes u mbajt nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave. ai e vlerësoi si figurë mbizotërouese për botën alabanologjike të kohës që jetoi në tërësi.

“Gjergj Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj; delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Versajës (1919), me një rol të dallueshëm në mbrojtje të çështjes shqiptare; nënkryetar i Këshillit Kombëtar të dalë nga aktet e Kongresit të Lushnjes më 1921; mbështetës i lëvizjes demokratike që kryesohej nga Noli dhe Gurakuqi, model oratorie në fjalën përcjellëse të Avni Rustemit; mik letërsie dhe njerëzie me Lasgushin dhe Asdrenin; deputet e gojëtar që ka lënë gjurmë në historinë e parlamentarizmit shqiptar; nxitës prej më të parëve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Amerikën.”, tha ndër të tjera akad. Skënder Gjinushi

Gjinushi u shpreh se “Gjergj Fishta qe një figurë mbizotëruese veçmas në periudhën midis dy luftërave sepse ishte kthyer në pikë reference jo vetëm për letërsinë e kohës, për ata që e admironin e për ata që e quanin jashtë mode; por para së gjithash për botën albanologjike të asaj kohe në tërësi. Më 1937 ishte Ndre Mjeda ai që ndërmori të parën nismë të themelimit të një akademie shqiptare, që njihet si Akademia Saveriane, e cila është pjesë e historisë së gjatë të akademizmit shqiptar, që nis simbolikisht që me shekullin e Voskopojës dhe Akademinë e Re të saj. Në mesin e vitit 1939 Fishta u emërua anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë, që sot njihet si Accademia Nazionale dei Lincei.
Sa u takon kontributeve në historinë e letërsisë shqipe, Fishtës gjithnjë do t’i njihet merita e pasurimit të llojeve dhe nënllojeve të munguara të saj, duke filluar prej poemës epike heroike deri tek melodrama”.

Sipas Gjinushit, tri merita janë të pazëvendësueshme në krijimtarinë e tij në kuadër të gjithë letërsisë shqipe, prej fillimeve deri në mesin e shekullit të kaluar.

“Poema e tij, kryevepra me të cilën identifikohet me të drejtë, Lahuta e Malcìs, para se të ishte guxim krijimtarie, ishte guxim për të bërë atë që quhej e pabëshme, për të ardhur tek ngjarjet e bashkëkohësisë, tek kryengritjet e malësorëve sa kundër pushtuesve otomanë aq edhe kundër revanshizmave të fqinjve. Mbas Lahutës së Malcìs ishte e lehtë për këdo tjetër të shkruante për ngjarje të kohëve të reja sepse ja, edhe në këto ngjarje kishte dinjitet për letërsi. Merita e dytë e madhe e Gjergj Fishtës është se e ndau përfundimisht lahutën nga heronjtë legjendarë, nga kreshnikët parahistorikë, nga epoka e gojëdhënave kombëtare, tek figurat që do të meritonin jo shumë më vonë monumentin historik: prej Dedë Gjo Lulit e Oso Kukës deri tek Frashërlliu i Toskërisë; prej Tringës së Dukagjinit deri tek Ali pashë Gucia; prej Marash Ucit të Uc Sokolit deri tek prijësit dhe luftëtarët e tjerë të mbrojtjes së trojeve shqiptare nga lakmitë e të huajve, nga vendimet e padrejta të kongreseve ndërkombëtare; të çlirimit të tyre nga sundimi i huaj”, – nënvizoi Gjinushi.

Gjinushi tha se “Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës. Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur dekada të tëra të na thoshte, ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij, Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë. Ose siç pati shkruar Naimi: Unë jam në shpirtin tuaj / Mos më merrni për të huaj”./atsh///

error: