-Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi sot me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga postet publike, ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar i dënuar ndonjëherë nga një gjykatë në vend.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar pretencën e SPAK duke mbyllur çështjen në shkallë të parë. Përmes avokatit të tij, Llalla kërkoi të shpallej i pafajshëm për akuzën. Sipas avokatit Sokol Hazizaj, çështja ndaj Llallës është e paragjykuar dhe e njëanshme. Sipas fjalëve të tij në gjykatë, procesi është i stisur, duke shtuar se të gjitha blerjet e trojeve nga Llalla janë bërë përmes kontratave noteriale dhe se çdo shpenzim financiar i tij ka qenë në rrugë bankare.
SPAK kishte kërkuar dy vite burg dhe 5 vite përjashtim nga funksioni publik për Adriatik Llallën. Pasuritë e ish-kreut të organit të akuzës, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës, i kalojnë shtetit.
Ish-kryeprokurori Llalla akuzohet për disa veprat penale që përfshijnë “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” në tre raste.
Adriatik Llalla u hetua edhe për pastrimin e parave, por në finale ai u dërgua për gjykim vetëm për fshehje të pasurisë.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”./atsh///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI