Nga Sulejman MATO
(Botuar në “Hejza” ) Poezia është forma më intime e krijimit artistik. Ajo lind në çastin kur krijuesi çlirohet nga një shqetësim, nga një dhimbje, nga një mall, nga një revoltë apo nga një nevojë shpirtërore që kërkon të marrë trajtë artistike. Në të vërtetë, ky përcaktim mund të vlejë për çdo lloj arti: edhe për pikturën, edhe për muzikën, edhe për teatrin, edhe për romanin, edhe për skulpturën. Njeriu, përmes artit, e shpalos botën e vet të brendshme, shpirtin, imagjinatën dhe aftësinë krijuese.
Megjithatë, tek shqiptarët poezia sikur e ka zaptuar tërësisht territorin e krijimtarisë. Prandaj, pa kurrfarë ngurrimi, mund të thuhet: të gjithë shqiptarët janë poetë!
Mjafton të hapësh ndonjë portal, ndonjë faqe personale, ndonjë profil në rrjetet sociale dhe menjëherë përballesh me një vërshim vargjesh. Nuk mbeti shqiptar pa shkruar poezi. Madje, krijimtaria artistike pothuajse identifikohet ekskluzivisht me poezinë. Çdokush që ndien një trazim sentimental, një hall dashurie, një zhgënjim apo një mllef personal, menjëherë merr rolin e poetit.
Po pse nuk ndodh e njëjta gjë me pikturën? Pse nuk kemi po aq violinistë, kompozitorë, tenorë, skulptorë apo regjisorë? Pse shqiptari nuk e merr brushën me të njëjtin entuziazëm me të cilin merr stilolapsin? Pse nuk ulet para pentagramit me të njëjtën lehtësi me të cilën “shkruan poezi”?
Sepse, në të gjitha artet e tjera, ekzistojnë standarde që nuk të falin. Në muzikë zbulohet menjëherë mungesa e talentit. Në pikturë nuk mund të kamuflohet paaftësia. Në teatër, në skenë, në balet, në skulpturë, çdo mungesë afiniteti artistik del në pah brenda pak çastesh. Vetëm poezia, fatkeqësisht, është trajtuar si territor pa rojë, si një hapësirë ku secili mendon se mund të futet pa trokitur.
Kështu, shqiptari krijoi bindjen se poezia është arti më i lehtë. Mjafton të thyesh disa fjali në vargje, të shtosh ca metafora të mjegullta, pak mall, pak dashuri, pak vetmi dhe menjëherë shpallesh poet. Poezia u shndërrua në strehë të sentimentalizmit banal, në vend ku shumëkush mendon se mund ta kamuflojë zbrazëtinë intelektuale, avdallëkun emocional apo edhe epshin personal, duke i veshur me petkun e “shqetësimit artistik”.
Në fakt, problemi nuk është se shqiptarët shkruajnë poezi. Problemi është se nuk e kuptojnë çfarë është poezia. Nuk e ndiejnë peshën e saj. Nuk e respektojnë mjeshtërinë poetike. Nuk e kuptojnë se poezia ka alfabetin e vet, muzikën e vet, ritmin e vet, metaforën e vet, frymën e vet të brendshme. Poezia nuk është rrëfim hallesh private të ndara në rreshta. Nuk është ditar sentimental. Nuk është as status Facebook-u i thyer në vargje.
Poeti i mirëfilltë është krijues me dhunti të rrallë. Ai nuk shkruan vetëm sepse ka nevojë të shfryhet shpirtërisht, por sepse zotëron aftësinë për ta kthyer përjetimin njerëzor në vlerë artistike universale. Poezia e vërtetë nuk lind nga dëshira për t’u quajtur poet, por nga pamundësia për të heshtur para shpërthimit të fjalës artistike.
Sot, fatkeqësisht, kemi një inflacion poetësh dhe një mungesë të frikshme poezie. Kemi klube poetësh, festivale poetike, “akademi” poetike, net poetike, gara poetike, ku shpesh recitohen vargje që nuk kanë as frymë poetike, as figuracion, as ritëm, as mendim artistik. Është krijuar një lloj solidariteti mediokriteti, ku poetët e dobët lavdërojnë njëri-tjetrin vetëm për të mbajtur gjallë iluzionin se po bëjnë letërsi.
Madje, janë shfaqur edhe “gjuetarët e poetëve”, njerëz që nuk merren me poezinë si vlerë artistike, por me krijimin e rrethit të tyre sentimental e interesaxhi. Ata nuk promovojnë poezinë, por “poetët” e tyre, që ua shkruajnë poezitë me para; nuk mbrojnë artin, por klikën e vet letrare. Dhe kështu, poezia degradohet në zhurmë, ndërsa poetët e vërtetë mbeten në heshtje.
Kjo kategori “poetësh” do të vazhdojë të shtohet derisa të zgjohet vetëdija kritike letrare. Derisa poetët e mirëfilltë, kritikët seriozë, redaktorët profesionistë dhe njohësit e letërsisë të dalin publikisht dhe ta mbrojnë poezinë nga banalizimi. Poezia nuk është lodër. Nuk është stoli për vetëlavdërim. Nuk është territor ku futet kushdo pa përgjegjësi estetike.
Poezinë shqiptare e kanë ndërtuar me dhunti dhe sakrificë qindra poetë të mëdhenj. Në atë rresht nuk mund të futet çdo somnambul sentimental, çdo matrapaz i vargut dhe çdo njeri që mendon se poezia është forma më e lehtë për të tërhequr vëmendje.
Poezia është arti më i vështirë pikërisht sepse duket më i lehti. Dhe pikërisht këtë, shumica nuk e kuptojnë./HEJZA/
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
Sarandë. Finalizohet operacioni policor “Vjeshta” kundër narkotrafikut, ndalohen 20 shtetas.