SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.

Një ngjarje e rëndë po aq dhe skandaloze është regjistruar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Sarandës, ku një efektiv policie është marrë peng nga disa të paraburgosur. Ky denoncim u bë publik më herët nga vetë avokati Arben Llangozi, i cili njoftoi se efektivi u mbajt për disa orë nga personat e shoqëruar në Komisariat.

Ndërkohë, burime për mediat njoftojnë se janë marrë masat e para për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe personat përgjegjës. Me situatën është njohur edhe drejtuesi i Policisë, Skënder Hitaj, ndërsa në kuadër të masave të para, sipas asaj që Saranda Web njofton, është vendosur pezullimi nga detyra i tre punonjësve, Armando Bizhga, Dhimitër Gugu dhe Leons Cani.

Sipas të dhënave të bëra publike deri më tani ngjarja ka nisur gjatë orëve të mesnatës, kur në ambientet e dhomave të shoqërimit të Komisariatit të Sarandës ka pasur një konflikt fizik mes disa prej personave që ndodheshin të shoqëruar. Situata ka vijuar të përshkallëzohet, duke detyruar punonjësit e policisë të ndërhyjnë me qëllim për të neutralizuar istuatën.

Mirëpo ndërhyrja e tyre nuk ka mjaftuar për të ndalur përshkallëzimin dhe thuhet se në konflikt janë përfshirë edhe tre punonjës policie. Si rrjedhojë të shoqëruarit kanë marrë peng një prej efektivëve, duke e detyruar atë të qëndrojë për disa orë në kontrollin e tyre.

Për normalizimin e situatës është angazhuar Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë e Fierit, e cila ka mbërritur në Komisariatin e Sarandës pas përshkallëzimit të konfliktit. Pas ndërhyrjes së forcave speciale, situata është vënë nën kontroll dhe efektivi i policisë i cili mbahej nga personat e ndaluar, është liruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

“Një ngjarje e përmasave jashtëzakonisht të rënda ka tronditur Komisariatin e Policisë Sarandë gjatë natës së kaluar. Persona të arrestuar kanë dalë nga ambientet e izolimit, kanë marrë nën kontroll situatën dhe kanë kapur një punonjës policie, duke e futur brenda ambienteve ku mbaheshin të ndaluarit dhe duke e mbajtur aty për orë të tëra. Situata ka dalë në atë masë jashtë kontrollit sa është kërkuar ndërhyrja e FNSH-së nga Fieri. Pas orësh tensioni dhe negociatash, efektivi është liruar vetëm rreth orës 07:30 të mëngjesit”, thuhej më tej në denoncimin e avokatit. 

Pas incidentit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndërmarrë masat e para administrative dhe hetimore. Tre punonjësit e patrullës, Armando Bizhga, Dhimitër Gugu dhe Leons Cani, janë pezulluar nga detyra, ndërsa ndaj tyre po verifikohet roli dhe qëndrimi që ata kanë mbajtur në këtë konflikt.

Paralelisht me masat e marra, AMP Vlorë po vijon hetimet për të rindërtuar në mënyrë të plotë dinamikën e ngjarjes, duke nisur nga momenti i konfliktit mes personave të shoqëruar, ndërhyrja e punonjësve të policisë, përshkallëzimi i situatës dhe deri te momenti kur një prej efektivëve u mbajt peng për disa orë.

Sakaq lidhur me këtë ngjarje pritet dhe një reagim zyrtar nga Policia, informacionet e lartpërmendura janë mbledhur në rrugë jozyrtare!///

error: