SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

300 turistë të huaj në prill në Sarandë me kroçera, fluksi në rritje

 Porti i Sarandës ka pritur gjatë kësaj jave kroçera të përmasave të vogla me turistë nga vende të ndryshme të botës.

Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha për ATSH-në se “në nga 1-11 prill në portin e qytetit bregdetar kanë mbërritur 5 kroçera me rreth 300 turistë nga vende të ndryshme”.

“Vetëm gjatë kësaj jave kroçera “Mv Hebridean Sky” e kompanisë Noble Caledonia vizitoi për herë të parë Sarandën me 98 turistë kryesisht me kombësi angleze, suedeze, irlandeze, kanadeze, australiane. Kjo kroçerë e ndërtuar në vitin 1991 ka një gjatësi prej 90.36 metra, gjerësi 15.30 metra dhe tonazh 4200GT. Ka 5 kate për pasagjerë dhe 59 kabina me një kapacitet maksimal prej 120 turistë. Kroçera “MS Hebridean Sky” lundroi nën flamurin e Bahamasit”, tha Qendro.

Sipas tij turistët vizituan Parkun Arkeologjik të Butrintit, qytetin e Gjirokastrës dhe Syrin e Kaltër.

Ndërsa të premten Sarandën e vizituan dy kroçera “Athena dhe “Arethusa”.

“Këto dy kroçera rikthehen për të disatën herë në brigjet e qytetit të Sarandës”, tha Qendro.

Ai shtoi se fluksi i turistëve që vijnë me kroçera vazhdon të rritet.

Sa i përket numrit të pasagjerëve që kanë hyrë me tragete, Qendra tha se “nga 1- 11 prill 4400 pasagjerë kanë hyrë e kanë dalë nga porti i Sarandës”.

“Ndërsa si tremujor, në periudhën janar-mars, numri pasagjerëve është 79% më i lartë se e njëjta periudhë e 2023.Konkretisht 10 193 pasagjerë kanë hyrë e kanë dalë në janar-mars 2024 dhe 6643 pasagjerë kanë hyrë dhe dalë në të njëjtën periudhë të 2023”, shtoi Qendro.

Për vitin 2024 porti i Sarandës deri tani është rezervuar nga 43 kroçera. Porti Detar, Komisariati i Policisë Kufitare, Kapiteneria dhe Dogana Sarandë kanë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik. Nga Saranda drejt Korfuzit është shtuar numri i trageteve dhe linjave, ku janë dhe dy kompani të reja që do të operojnë këtë vit.

Vitin e kaluar kroçerat mbërritën në portin e Sarandës deri në muajin nëntor, ku turistë të kombësive të ndryshme, angleze, kanadeze, holandeze vizituan qytetin e lashtë të Butrintit, Gjirokastrën dhe sitet e tjera arkeologjike rreth Sarandës.

Qyteti i Sarandës njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Përveç diellit e plazhit, Saranda veçohet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.(Nga Klodi SARAÇINI)///

error: