Rruga e re Gusmar Kuç, e cila lidh Tepelenën me Himarën do të krijojë një ofertë të re turistike për këtë zonë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i ndërtimit të kësaj rruge turistike e cila, sipas tij, krijon një perspektivë të re për zonën e mrekullueshme malore mes Tepelenës dhe Himarës.
“Mirëmëngjes dhe me kantierin e rrugës së re turistike, prej shumë dekadash e shumëpritur, nga Gusmari në Kuç që së shpejti do të lidhë Tepelenën me Himarën, duke krijuar një ofertë të re për turistët e njëkohësisht një perspektivë të re për zonën e mrekullueshme malore mes këtyre dy pikave, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.
Investimi për ndërtimin e kësaj rruge kap një vlerë prej 5,780,441 dollarë dhe fillimi i punimeve ka nisur në prill 2020 dhe pritet të përfundojë në prill 2021.
Aksi Kuç-Gusmar lidh bashkë Tepelenën dhe Himarën, si dhe qarkun e Gjirokastrës me rrugën e Lumit të Vlorës dhe me bregdetin.
Investimi në këtë aks rrugor sipas standardeve më të mira, parashikon ndërtimin e 4 urave, nga të cilat njëra arrin gjatësinë edhe më të madhe prej 30 metrash dhe një tjetër 10 metra, dhe dy urat e tjera janë në gjatësi më të vogla që janë nga 6 e 5 metra gjatësi.
Aksi shoqërohet me mure masive mbajtëse pasi një pjesë e rrugës kalon në anë të shkëmbit dhe një pjesë tjetër është me mbushje. Aktualisht 5 km të kësaj rruge janë gati për shtresën e asfaltit.
Ky projekt është pjesë e “paketës së ndërhyrjeve”, ndërthurur më rrugën e Lumit të Vlorës dhe Bençë–Lekdush. Prej kohësh një domosdoshmëri infrastrukturore për të vënë në lëvizje agroturizmin në zonë, si dhe tregtinë e produkteve bujqësore e blegtorale. Dhe jo vetëm. Më pranë bregdetit dhe më pranë shërbimeve kryesore në qendrat përkatëse të bashkive.
Natyra që shoqëron të gjithë këtë aks është një eksplorim më vete i turizmit malor, sepse jugu nuk ka vetëm plazhin e bukur.
Ky aks rrugor ndihmon në zhvillimin e zonës si për potencialin e saj turistik ashtu edhe për tregtarët e zonës për të shitur produktet e tyre që prodhojnë. Me përfundimin e kësaj rruge udhëtimi nga Tepelena në Himarë do të kryhet për një orë. /atsh///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI