Shqipëria do të ketë në në fund një Gjykatë Kushtetuese funksionale, pas 3 vitesh vonesash si pasojë e vakancave që krijoi Vetingu.
Në këtë mënyrë Shqipëria realizon një prej kërkesave më të forta të ndërkombëtarëve, plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, një ndër kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, amabasadori i delegacionit të BE-së në vend por edhe pjesëtarë të tjerë të trupit diplomatik, këmbëngulën për shumë muaj për funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se përbën edhe një kusht për përparimin e procesit të integrimit të vendit në BE.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, intensifikoi thirrjet në adresë të Presidentit Ilir Meta, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Kuvendit, që në muajin maj të këtij viti, për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Kështu, u arrit deri në emërimin e sotëm të gjyqtarit të gjashtë, Përparim Kalon, emërim që e bën tashmë këtë gjykatë funksionale dhe që u përshëndet njëzëri nga ambasadorja Kim, ambasadori Soreca, komisioneri për Zgjerimin në BE dhe diplomatë të tjerë.
Nisja e Vetingut për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në mars 2018 bëri që në “sitën” e verifikimit të ngecte anëtari i parë i saj, Fatos Lulo. Dhjetë muaj më pas, Gjykata Kushtetuese mbeti vetëm me një gjyqtare, Vitore Tushën e cila ishte e vetmja e konsideruar e pastër nga Vetingu.
Pas shkarkimit të Lulos, u rrëzuan njëri pas tjetrit katër anëtarët e tjerë: Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari sikundër edhe kryetari i kësaj gjykate Bashkim Dedja.
Pas këtyre 5 shkarkimeve, ishin tre dorëheqjet e gjyqtarëve Sokol Berberi, Vladimir Kristo, dhe Besnik Imeraj, që e lanë Gjykatën Kushtetuese vetëm me një anëtar dhe si rrjedhim jofunksionale.
Pas procedurave të ndjekura nga institucionet, më 14 nëntor u bë betimi i tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Elsa Toska u zgjodh nga Kuvendit për të plotësuar vakancën. Marsida Xhaferllarin plotësoi në Kushtetuese vakancën e krijuar nga ish-gjytarja Altina Xhoxhaj. Anëtarja e tretë është Fiona Papajorgji edhe kjo e zgjedhur nga Kuvendi.
Më herët, në seancën e 17 dhjetorit, Kuvendi i Shqipërisë votoi me 96 vota pro, Altin Binajn si anëtarin e pestë të Gjykatës Kushtetuese.
Me votimin e Binajt, Gjykata Kushtetuese u bë me 5 anëtarë, bashkë me Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji. Ndërkohë që me emërimin e sotëm të Përparim Kalos, Gjykata Kushtetuese ka kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë, e cila nuk është ende funksionale.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit