Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan u shpreh shumë i kënaqur që priste sot në Ankara kryeministrin Edi Rama dhe delegacionin që e shoqëron.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, pas takimit zyrtar mes tyre, Erdoğan theksoi se “Shqipëria është një vend mik, vëlla dhe aleat”.
“Ne jemi dy popuj vëllezër që kemi jetuar së bashku në shekuj, kemi luftuar së bashku dhe kemi lënë gjurmë në histori. Pra jemi dy popuj vëllezër”, – tha Erdogan.
Gjurmët e historisë sonë shekullore, vijoi ai, është e mundur të shikohen në fusha shumë të gjera si nga letërsi në art, jetën intektuale etj.
Në ditët e sotme, tha Erdogan, gjenden shumë gjurmë të përbashkëta të historisë nga Elbasani në Korçë, nga Shkodra në Vlorë.
“Frymëzuar nga historia jonë e lashtë e konsiderojmë si detyrë për ta forcuar më shumë këtë lidhje. Në takimin me kryeministrin Rama diskutuam për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe gjithëpërfshirëse”, – tha Erdogan.
Me rastin e kësaj vizite, vijoi ai, sapo kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët politike për krijimin e këshillit të bashkëpunimit strategjik të nivelit të lartë.
“Kështu ne i ngjitëm marrëdhëniet tona në nivelin e partnerit strategjik”, – tha ai.
Erdogan theksoi se, ky hap që hodhëm sot do të na mundësojë zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë në çdo fushë.
Presidenti turk u shpreh se ka diskutuar me kryeministrin Rama, përveç çështjeve bilaterale, edhe çështjet rajonale në shumë fusha: kulturore, ekonomike si dhe këmbyen idetë se çfarë mund të bëhet në projektet e së ardhmes.
“Shqipëria sapo ka përfunduar me suksese presidencën e radhës të OSBE-së dhe që nga janari i këtij viti, ka marrë presidencën e radhës të BISEK”, u shpreh Erdogan duke i uruar suksese vendit tonë.
Teksa u ndal në dy tërmetet e mëdha që përjetoi Shqipëria në 21 shtator dhe 26 nëntor 2019, që lanë pas lot, vuajtje dhe dhimbje, Erdogan tha se, “pas çdo tërmeti ne ofruam ndihmë për vëllezërit tanë shqiptarë”.
“Ne dërguam të gjitha mjetet në dispozicion të popullit shqiptar nga ekipet për shpëtim- kërkimit. Gjithashtu ne vendosëm të ndërtojmë 522 njësi banimi për vëllezërit tanë shqiptarë, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan. Ceremonia e hedhjes së themeleve për ndërtimin e këtyre banesave u mbajt në 23 dhjetor 2020 dhe shpresoj që të përfundojmë ndërtimin në gusht të 2020 dhe t’ua dorëzojmë këto banesa vëllezërve tanë në nevojë”, – theksoi ai.
“Besoj se ky do të jetë një simbol i ri i unitetit midis Shqipërisë dhe Turqisë”, – deklaroi Erdogan.
Turqia, tha Erdogan, është partneri i 4-t tregtar më i madh i Shqipërisë duke marrë parasysh edhe shërbimet kontraktuese. “Ne jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri me një investim total prej 3.5 miliardë USD”, vijoi ai.
“Më shumë se 600 kompani turke që operojnë në Shqipëri sigurojnë punësim për 15 mijë shqiptarë. Ne parashikojmë që bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve t’i japim një dimension tjetër”, u shpreh ai.
Gjithashtu, vijoi Erdogan, ne i kushtojmë rëndësi ruajtjes së objekteve historike nga Periudha Osmane të cilat pasqyrojnë kulturën tonë të përbashkët.
“Ne kemi zbatuar 500 projekte restauruese me vlerë 20 milionë euro në Shqipëri përmes TIKA-s. Ministrat tanë të Kulturës sapo nënshkruan marrëveshjen për restaurimin e objektit historik në Shkodër dhe shpresoj që ky propjekt të fillojë pranverën e ardhshme”, – tha ai.
Erdogan nënvizoi se një nga pikat kryesore ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e luftës kundër terrorizmit dhe në atë ushtarake e të mbrojtjes.
“Me autoritetet shqiptare dakordësuam që organizata terroriste e Fetos përbën një kërcënim për të dy vendet. Ne nuk do të lejojmë që Feto të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe me këtë rast Universiteti i New Yorkut që është marrë nga Fondacioni Turk nesër do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Teknik të Stambollit. 100 shqiptarë studiojnë në Universitetin Teknik të Stambollit. Ky është një hap i rëndësishëm që hedhim në fushën e arsimit”, – tha Erdogan.
Duke folur për angazhimin e ndërtimit të spitalit të Fierit, presidenti Erdogan u shpreh se do ndërtohet për tre muaj.
“Në aeroportin e Sanxhak Tepe kemi ndërtuar dy spitale me nga 1008 dhoma, ndërsa ky duke qenë se do jetë një spital me 150 dhoma është një grimcë për ne, për tre muaj mbaron. Këtu do kemi parasysh që do i pajisim edhe me aparaturat e nevojshme. Në spitalet tona në Stamboll ka nga 18 salla operacioni, kurse në atë të Fierit do jetë më i ulët. Ministria jonë e Shëndetësisë për një kohë të shkurtër do dërgojë edhe stafin mjekësor duke filluar nga doktorët, infermierët që të mësojnë dhe trajnojnë edhe stafin shqiptar. Brenda një kohe të shkurtër Shqipëria do ta ketë në gjendje pune atë spital”, – u shpreh Erdogan.///atsh///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade