Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë realizuar mëngjesin e sotëm arrestimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, dhe disa personave të tjerë, të dyshuar për veprën korrupsionit.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr.102/2 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si edhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, etj. Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal nga policia gjyqësore e Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi, të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit. Nga ky hetim disamujor u grumbulluan prova të nevojshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasen Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, SPAK bën të ditur se masën e sigurisë arrest me burg edhe për Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim; Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim; Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim; Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim; Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Në janar të një viti më parë, gjyqtarja Enkelejda Hoxha vendosi për lirimin me kusht të të dënuarit me burgim të përjetshëm Endrit Dokle.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor në datat 5.11.2019 dhe 16.12.2019 për verifikim të informacioneve dhe indicieve të cilat krijonin dyshime mbi objektivitetin e këtij procesi gjyqësor që po zhvillohej në gjykatën e Rrethit gjyqësor Krujë nga gjyqtarja Hoxha për të dënuarin Endrit Dokle duke mbajtur në konsideratë edhe faktin që e njëjta gjyqtare kishte gjykuar të gjitha kërkesat e këtij subjekti për ulje dënimi, përfitim amnistie dhe ndryshim të llojit të sigurisë së burgut nga burg i sigurisë së lartë në atë të sigurisë së zakonshme. Për dijeni, shkresa e datës 16.12.2019 i është drejtuar gjithashtu Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë Krujë.///ATSH///
ME SHUME LAJME
Borsh. Vijojnë punimet restauruese në Kalanë e Borshit, Gonxhja: Rritje e potencialit si destinacion kulturor
Vëzhgim. “Paketa e Maleve”
Opinion.Përpjekje për të fshehur kufomën nga sytë e publikut