Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Saranda se “Plani i Veprimit 2021-2025” i Partisë Socialiste do të shndërrojë Shqipërinë në kampione të Ballkanit në turizëm por dhe si eksportuese të energjisë.
“Ne nuk kemi dalë me një program elektoral si ato që jemi mësuar t’i shikojmë e dëgjojmë, apo këndojmë për vite të tëra, sepse ne jemi qeveria e Shqipërisë, jemi shumica qeverisëse sot dhe do të jemi edhe nesër. Ne jemi përballë njerëzve për të respektuar këtë detyrim të madh të demokracisë që janë zgjedhjet, pra dalja para popullit dhe marrja e gjykimit të tij për vazhdimin e rrugës me një plan veprimi qeverisës në funksion të një vizioni që është vizioni ynë për Shqipërinë e 2030-ës, kur ne besojmë shumë se Shqipëria mund dhe do të bëhet e ardhmja jonë, e fëmijëve tanë, shtëpia ku ata që janë sot fëmijë e rriten në këtë vend të jenë krenarë jo vetëm për historinë e monumentet e kulturës, por të jenë krenarë për kushtet e shtëpisë së tyre”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ne duam që Shqipëria e 2030 të jetë kampione e Ballkanit në turizëm. Sipas Ramës, kjo është një ëndërr e mundur.
“Ku më mirë se këtu në Sarandë mund të argumentohet se kjo është e mundur? Saranda arriti të bëhej një zonë tërheqëse pa patur mbështetjen nga Tirana. Me mbështetjen nga Tirana, fuqia e saj tërheqëse është rritur shumëfish, por mundësitë e saj janë disa herë më të mëdha se këto”, theksoi Kryeministri.
Porti turistik që ka nisur, vijoi Rama, është një nga investimet më të rëndësishme strategjike për turizmin jo vetëm për Sarandën, por për të gjithë Shqipërinë.
“Prodhimet fantastike në gjithë zonën bujqësore dhe blegtorale të Sarandës janë një garanci për të shkuar në destinacionin tonë, për ta bërë Shqipërinë kampione në turizëm apo eksporte bujqësore. Shifrat e eksporteve dhe turistëve janë të atilla që e tregojnë qartë që mjafton të kemi kombënguljen dhe durimin dhe ne do të ngjitemi në atë majë“, deklaroi Rama.
Kryeministri informoi se pas një pune të madhe do të firmoset kontrata për aeroportin e Vlorës dhe shumë shpejt do të jemi në kantier. “Me të firmosur kontratën për Vlorën do të”, theksoi Rama, ndërsa shtoi se tashmë është bërë gati projekti dhe dokumentacioni për garën ndërkombëtare.
“Padyshim do të jetë një histori tjetër suksesi”, tha Kryeministri.
Kryeministri Rama u ndal edhe në investimet që po kryhen në aeroportet e vendit.
Për pak ditë, tha ai, ne hapim aeroportin ndërkombëtar të Kukësit. Ndërkohë, sipas tij, investimet në aeroportin e Rinasit do të vazhdojnë me ndërtimin e terminalit të ri dhe zgjerimin e pistës që do të garantojnë fluturimet transoqeanike.
“Pa diskutim gjatë mandatit të tretë këto aeroporte së bashku me portet turistike, të Sarandës, Vlorës, Durrësit e më pas edhe Shëngjinit, kemi një hartë krejt tjetër të Shqipërisë, me një mundësi për të rritur eksponencialisht, jo vetëm numrin e turistëve, por edhe nivelin konsumator të tyre, duke u ngjitur në kategorinë e turizmit që sjell shumë të ardhura, të jahteve, resorteve elitare, ku punësimi është më i madh, pagat më të larta, me më tepër konsum dhe mundësi më të mëdha për prodhimet vendase”, u shpreh Kryeministri.
Përmes këtyre, tha ai, ne brenda kësaj dekade bëhemi kampionë të Ballkanit.
Rama foli edhe për investimet që po kryhen për të kthyer Shqipërinë në kampione të Ballkanit edhe sa i përket eksportit të energjisë.
“Ne sot jemi në kushtet që e kemi kaluar fazën e mesjetës në menaxhimin e pasurisë së madhe në një sektor superstrategjik si energjia. Me investimet e reja e të mëdha, ne do mund të kthehemi në eksportues neto të energjisë që do të thotë se nuk do të importojmë më, sepse me ndërtimin e Skavicës, falë marrëveshjes me qeverinë amerikane dhe angazhimit të një prej kompanive më të mëdha amerikane, falë edhe ndërtimit të dy parqeve fotovoltaike, në Karavasta dhe Spitallë, ne do të kemi rezervën e ujit për ditët kur s’kemi shi dhe nuk do të derdhim më ujë kur kemi shi duke sjellë përmbytje, por do të ruajmë prurjet”, deklaroi ai.
Më tej, Rama u ndal te investimet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë, ku në disa zona, tha ai, si në Konispol, nuk ishte investuar që nga koha e elektrifikimit. ///
ME SHUME LAJME
Mot me kthjellime, shtim gradual i vranësirave pas mesdite
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë