Rijetësimi i aeroportit të Gjirokastrës, është një prej prioriteteve të bashkisë, në funksion të zhvillimit të turizmit.
Rikthimi në funksion i aeroportit mbi 80-vjeçar të Gjirokastrës, është një ndër projektet që synon të marrë jetë në qytetin e gurtë, kjo për vetë pozicionin gjeografik dhe potencialin turistik.Aktualisht po ndërhyhet për sistemimin e pistës së aerodromit, në shërbim të fluturimeve turistike dhe sportive.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi tha sot për ATSH-në se “në nisje të sezonit turistik po kryejmë punime në mjediset e aerodromit për mirëmbajtjen e pistës së tij, duke mundësuar fluturimet turistike dhe sportive”.
“Vendosja në funksionim e këtij aeroporti, ka ndikim të rëndësishëm në jetën social-ekonomike, të rajonit të Gjirokastrës”, – theksoi Golemi.Kryebashkiaku Golemi u shpreh se rijetësimi i aeroportit të Gjirokastrës do t’i vijë në ndihmë zhvillimit të biznesit prodhues, tregtar, etj që operon aktualisht në këtë zonë si dhe shkëmbimeve në fusha të ndryshme.
Aeroporti i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike, etj të vendit tonë edhe fluturimet në aeroportin e Gjirokastrës do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.
Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.Afërsia gjeografike me Sarandën dhe bregdetin e Jonit do të bënte që turistët që do të mbërrijnë në Gjirokastër me linjat ajrore krahas vlerave të qytetit të gurtë të zgjerojnë guidat e tyre edhe me udhëtime në pjesën e bregdetit.
Aeroporti i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI