Partia Demokratike ka mbledhur sot në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Kuvendin Kombëtar që vjen pas zgjedhjeve për kryetarin e ri, ku Lulzim Basha u konfirmua në krye të kësaj force politike në mandatin e tretë.
Gjatë punimeve të Kuvendit, do të votohet për anëtarët e Këshillit të Kombëtar, ku nga 600 kandidatura do të zgjidhen 300 prej tyre. Nga këto jo më pak se 30% do të zgjidhen femra dhe jo më pak se 15% të rinj deri në 35 vjeç.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka hapur punimet e Kuvendit ku kërkoi të mbahet 1 minutë heshtje për jetët e humbura si pasojë e COVID-19.
“Zoti iu dhëntë paqe shpirtrave të tyre dhe iu dhëntë forcë familjeve të tyre. Një bilanc tragjik që bëhet edhe më pikëllues prej indinjatës, ku lotëve të familjarëve, iu kundërvihet propaganda e qeverisë. Kur shqiptarët kishin nevojë për ndihmë, iu ofruan gjoba”- tha Basha në nisje të fjalës së tij.
Më tej, Basha u ndal në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare duke theksuar se 25 Prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë, por se PD doli më e fortë dhe më e bashkuar.
“Edhe pse 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur. Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë. Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë”, tha Basha.
Ai theksoi se “ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama”.
Kreu i PD-së, tha se “të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me institutet dhe institucionet prestigjioze të Perëndimit. Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale që e kemi prekur bashkë shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, sipërmarrje në sipërmarrje me të gjitha grupet e interesit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore, me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit, me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi, me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve që u bashkuan për herë të parë ndër vite me përfaqësuesit e tyre në PD përmes programit tonë”
Ai u shpreh se “ky program ishte i detajuar, me angazhime konkrete, për çdo sektor që vendosi gishtin tek plagët e shumta të vendit, që ofronte zgjidhje për të çliruar potencialin e çdo shqiptari, që çlironte dhe zhvillonte potencialin e Shqipërisë, të ndrydhur, të mpakur, të boshatisur, të ngecur në vendnumëro në 8 vite nga një fatkeqësi kombëtare që e quan veten qeveri”.
“Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me regjimin: Te demokracia që shkatërrohet, tek zgjedhjet që vidhen, tek e drejta që shkelet. Dhe pa u fituar kjo luftë, për çdo shqiptar, të majtë apo të djathtë, atëherë çdo zgjedhje e lirë në jetën e secilit prej tyre, çdo përpjekje e gjithsecilit prej tyre për punësim, për arsimim për të patur një jetë më të mirë, do të jetë e pamundur”, deklaroi Kreu i PD-së./atsh///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri