SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Ekonomi:“Ballkani i hapur”, Rritje ekonomike, lëvizje e lirë e profesioneve

 Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, u shpreh se nisma e “Ballkanit të hapur” sjell rritje ekonomike, zgjerim të bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe lëvizje të lirë të profesioneve.

Duke folur në një intervistë televizive mbi nismën “Ballkani i hapur”, Ekonomi tha se, “Ballkani i hapur ka tre gjëra të rëndësishme, për t’u njehsuar si i tillë”.

“E para është që ne vendet e Ballkanit, kemi vendosur që të zhvillojmë ekonomitë e vendit tonë, e secilit vend, secili mendon për ekonominë e tij, duke pasur parasysh që projeksionet që bëhen nga Banka Botërore mendohet që rritja mesatare mund të shkojë tek 2.5-3%. Por po të respektosh të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë që kemi lidhur ne, nëpërmjet CEFTA-s, mundësi për të bërë një rritje ekonomike më të madhe që të shkojë nga 6-7% ekziston. Pra, duhet të angazhohemi secili nga ne vetë që të kuptojmë që qasja jonë drejt zhvillimit duhet të jetë një qasje me një iniciativë shumë të fortë që vjen nga vendi”, tha Ekonomi.

E dyta, theksoi Ekonomi, “është shumë e rëndësishme që ato që kemi arritur në Procesin e Berlinit, ku kemi nënshkruar shumë marrëveshje dhe kemi qenë vende që donim të kooperonim me njëri-tjetrin, t’i zgjerojmë. T’i zgjerojmë duke pasur parasysh që ka marrëveshje që lidhen sidomos me procedurat administrative në kufi, ku ne lëvizim katër format e kapitaleve, mallrat, njerëzit, shërbimet dhe paratë. Dhe këto janë mundësi shumë të mëdha që kanë dalë si nevojë që të zhvillohen të gjitha vendet e Ballkanit dhe të zgjerojnë Procesin e Berlinit”.

Dhe shtoi, Ekonomi, “e treta, që për mua është shumë e rëndësishme, është lëvizja e lirë e profesioneve, e personave. Sepse tregu i punës në të gjitha vendet tona, është një treg që goditet nga emigracioni i lartë, ku ne humbasim krahun e punës. Që kështu në këtë kuptim, vazhdimi i iniciativave që ne marrim qëndrim personal, ne vendet bashkohemi dhe themi do të luftojmë për të zhvilluar vendet tona, bëhet shumë i rëndësishëm”.

“Në Procesin e Berlinit, një nga gjërat që ka ndodhur ishte njehsimi që po i bënim ne ligjit të profesioneve të rregulluara. Me profesionet e rregulluara, ne kemi një listë në Republikën e Shqipërisë që duhen bërë shumë gjëra, duhet të japësh provimin, duhet të marrësh licencën, duhet të mbash kreditet, siç është arkitekti, infermier, mjeku, inxhinieri. Ka shumë profesione që janë të rregulluara dhe nëse merrje një licencë tek urdhri përkatës i profesionit, kjo të njihej edhe në vende të tjera. Kështu kemi njehsuar profesione si infermierit. Një infermier shqiptar shkon dhe punon lehtë në Gjermani, sepse profesioni i infermierit është i rregulluar i njehsuar me të gjitha karakteristikat që ka tregu europian. Po këtë gjë kemi bërë dhe për të tjerat ne. Ne shkëmbejmë mjekë me Serbinë. Mjekët serbë vijnë këtu, mjekët shqiptarë shkojnë atje dhe regjistrohen tek urdhrat përkatës të këtij profesioni pra ka profesione të rregulluara”, theksoi ajo.

Përveç kësaj, shtoi Ekonomi, “ka dhe forcë pune dhe forca e punës kërkon që të bëhen disa rregullime të tjera. Për shembull të njihet ligji që kanë të drejtë të huajt të punojnë në Republikën e Shqipërisë. Dhe ne  e kemi kaluar një ligj të tillë në parlament në këtë legjislaturë që u mbyll, sepse duhet të lehtësosh procedurat e një të huaji që do të vijë në tregun e punës dhe do të sillet si shqiptarë për një periudhë të caktuar, sa ai do punojë në territor. Siç e bëmë ne këtë rregullim duhet ta bëjë të njehsuar edhe Serbia edhe Maqedonia e Veriut, edhe Mali i Zi edhe Kosova që të shkojnë dhe të shkëmbehen këto profesione”./ata///

error: