Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot kryengritjen antikomuniste të Zhapokikës. Lëvizja e armatosur e Zhapokikës në 8 tetor 1948, ishte një kryengritje antikomuniste e banorëve të zonës ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe përpjekje e qartë kundër regjimit diktatorial. Ishte një revoltë me armë e organizuar, e mirëmenduar dhe me detyra politike dhe luftarake të përcaktuara e të studiuara. Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, i ri 30-vjeçar, ish-partizan, me arsim fillor, i martuar me dy fëmijë.
Të mbi 20 burrat që morën armët, ishin të moshës mesatare 40 vjeç, burra të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetës, me barrën e dy luftërave botërore mbi shpinë. Në përbërje të çetës kishte ushtarë, komunistë, ish-partizanë, policë të zonës e nëpunës të administratës lokale.
Detyra luftarake e çetës ishte: të luftonte me armë derisa në Shqipëri të vijë në fuqi një qeveri demokratike. Pas zgjedhjes së shtabit të komandës, komandant u zgjodh ish-xhandari 59-vjeçar, Bajram Kamberi. Çeta do të rezistonte për rreth një javë e ndjekur nga forcat e shumta qeveritare.
Më 10 tetor në qafën e Gllavës bëhet beteja për jetë a vdekje me forcat e shumta qeveritare, ushtarë dhe policë, të ardhur nga Tepelena dhe nga Berati. Mbesin të vrarë dy policë dhe dy kryengritës. Të 25 kryengritësit e identifikuar ishin; 13 nga fshati Zhapokikë, 7 nga fshati Luftinjë, 3 nga fshati Kamçisht dhe 2 nga Salaria. Çeta përfundimisht u shpartallua. Xhemal Brahimi u arratis fillimisht në Greqi pastaj në SHBA.
Gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës, me kryetar kapitenin Llazi Polena, gjykoi më datën 4.06.1949 disa nga pjesëmarrësit e kryengritjes, duke i akuzuar se në shtator-tetor 1948 janë arratisur dhe kanë formuar bandën e armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor.
Komandant Barjam Kamberi u dënua me pushkatim e u ekzekutua në Gjirokastër, më 21 korrik 1949. Të tjerët u dënuan me burgime të rënda e dikush vdiq në burg. Numri i të vrarëve nga shteti dhe i të vdekurve në burg arritën në nëntë.
Sulo Zaimi, si nxitës i fshehtë i Kryengritjes, u dënua me 20 vjet burg. Xhemal Brahimit ia internuan familjen, gruan dhe fëmijët e mitur, të cilët më pas u dënuan me burg deri në vitin 1991.
Të gjithë të dënuarve iu sekuestrua pasuria dhe e humbën të drejtën elektorale. Kryengritja e Zhapokikës ishte kryengritja e fundit kundër regjimit komunist dhe dëshmi që komunizmi nuk u kundërshtua me armë vetëm në veri por edhe në jug./atsh///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI