Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias do të organizojë Konferencën e 8-të për Median në Evropën Juglindore me temë “Gazetaria në kohë krize” më datat 11 dhe 12 tetor në Shqipëri.
Konferenca do të hapet nga Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, Kryeministri Edi Rama dhe nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco. Julie Posetti, Drejtoresha e Përgjithshme e Kërkimit të Qendrës Ndërkombëtare për Gazetarët, do të mbajë fjalimin kryesor.
Seanca e parë e konferencës përqendrohet tek çështja e dezinformimit dhe shkaqet që e krijojnë atë, tek rreziku përkatës dhe tek roli kundërshtues që mund të luajë gazetaria.
Me përhapjen gjithnjë e në rritje të dezinformimit në Evropën Juglindore, gazetaria hulumtuese cilësore në këtë rajon haset me sfida të mëdha. Dezinformimi minon besimin e publikut tek gazetaria profesioniste dhe cilësore, si dhe tek roli i saj në shoqëritë demokratike – çka amplifikohet më tej në kohë krizash, siç është edhe pandemia aktuale e COVID 19-ës. Besimi i publikut tek mediat informuese bazohet tek informacionet e sakta, të paanshme dhe me fakte të kontrolluara. Angazhimi ndaj parimeve themelore të gazetarisë, si paanësia dhe raportimi me fakte, është shumë i rëndësishëm për të ndërtuar besimin tek media dhe shërben për të ndrequr dezinformimin.
Paneli do të ofrojë një tablo më të mirë të dezinformimit dhe të shkaqeve që e krijojnë atë, të rreziqeve që kanosen prej tij dhe të rolit që mund të luajë gazetaria për t’iu kundërvënë dezinformimit. Gjithashtu, pjesëtarët e panelit do të diskutojnë nismat dhe praktikat e rajonit për t’iu qasur këtij rreziku që kërcënon peizazhin pluralist të medias, si asaj tradicionale edhe asaj në rrjet, dhe do të propozojnë zgjidhje për përmirësimin e mëtejshëm të medias.
Seanca e dytë trajton praktikat më të mira dhe përpjekjet për të lehtësuar situatën e rënduar të gazetarëve të rajonit, duke përfshirë pengesat që ata hasin përgjatë zhvillimit të veprimtarive gazetareske dhe zbatimit të të drejtës së shprehjes. Paneli në seancën e dytë do të ofrojë njohuri më të thelluara për tendencat në rajon dhe për sfidat aktuale në lidhje me sigurinë dhe me kushtet e punës së gazetarëve, me dëshmi personale nga dy gazetarë të rajonit. Këtu do të theksohen praktikat më të mira dhe përpjekjet për të trajtuar situatën e rënduar të gazetarëve dhe pengesat që ata hasin përgjatë zhvillimit të veprimtarive gazetareske dhe zbatimit të të drejtës së shprehjes, si në rrjet edhe jo në rrjet, në kontekstin e krizës aktuale shëndetësore.
Seanca e tretë do të trajtojë përfshirjen dhe përfaqësimin e barabartë të grave në sektorin e medias dhe do të shërbejë si platformë për diskutimin e sfidave profesionale të kohës dhe rreziqet e posaçme për shkak të gjinisë me të cilat përballen gazetaret në rajonin e Evropës Juglindore. Kjo seancë me panel ka për qëllim të shërbejë si platformë për diskutimin e sfidave profesionale të kohës dhe rreziqet e posaçme për shkak të gjinisë me të cilat përballen gazetaret në rajonin e Evropës Juglindore. Pjesëtaret e panelit do të shkëmbejnë përvoja, përfshirë këtu edhe dëshmi personale nga dy gazetare të rajonit, dhe do të shkëmbejnë praktikat pozitive dhe nismat për përkrahjen e barazisë gjinore në sektorin e medias. Gjithashtu, pjesëtaret e panelit do të bëjnë rekomandime për qasjen ndaj hendeqeve ekzistuese, me qëllim të kemi redaksi të ekuilibruara nga pikëpamja gjinore dhe të përmirësojmë gjendjen e gazetareve në rajon.
Mjedisi ligjor i rajonit dhe pasojat e tij tek fjala e lirë dhe tek liria e medias, si dhe veprimet në të ardhmen për kundërvënien ndaj praktikës së dëmshme së të ashtuquajturave Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike, do të përbëjnë boshtin e seancës së katërt. Paneli i kësaj seance do të analizojë praktikën gjithnjë në rritje të sulmeve ligjore ndaj gazetarëve dhe organeve mediatike në rajon. Në këtë kontekst, pjesëtarët e panelit do të shqyrtojnë mjedisin ligjor të rajonit dhe ndikimet e tij tek fjala e lirë dhe tek liria e medias dhe do të shkëmbejnë ide rreth veprimeve që duhen ndërmarrë për të mposhtur praktikën e dëmshme të Padive Strategjike.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI