Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi garantoi sot se AMA do të vijojë monitorimin e rregullt dhe të rreptë për zbatimin e dispozitave që rrjedhin nga Kodi i Transmetimit dhe forcimin e penaliteteve për OSHMA-të që shkelin dispozitat e këtij kodi për mbrojtjen e fëmijëve.

Në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”, të zhvilluar në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audioviziuale, marrin pjesë Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro ,ekspertë nga Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania si dhe profesorë e ekspertë të fushës nga vendi dhe rajoni. Kjo konferencë, e cila është e ndarë në tre panele, do të shërbejë si një vlerë e shtuar dhe një moment i mirë reflektimi për të gjithë aktorët e përfshirë, mediat, shoqërinë dhe komunitetin, mbi rolin e tyre në edukimin e të miturve.

Në fjalën e saj në konferencë, Krasniqi theksoi se “kontributi për mbrojtjen e fëmijëve është kontributi më thelbësor që mund të jepet për një shoqëri dhe të ardhmen e saj”.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ndikimi i mediave audiovizive tek fëmijët mund të çojë në sjellje agresive, mund të trembë fëmijët, mund të ofrojë heronj të dhunshëm për të imituar dhe mbi të gjitha shpesh krijon bindjen se tregon se dhuna është normë shoqërore. Në një kohë kur zhvillimi teknologjik po na përball me sfida shumëdimensionale, detyra e medias është mbi të gjitha mbrojtja e interesave më të larta shoqërore përmes edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve”, nënvizoi Krasniqi.
Kryetarja e AMA-s u shpreh se “veprimtaria e Autoritetit të Mediave Audiovizive bazohet në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Ligji parashikon parimet themelore që përbëjnë bazën e zhvillimit të veprimtarisë audiovizive.Por në mënyrë më eksplicite, është Kodi i Transmetimit, si akt nënligjor i rëndësishëm që përmban dhe përcakton parimet, rregullat, kërkesat dhe praktikat e transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
Krasniqi vuri në dukje se Kodi i Transmetimit ka për qëllim të sigurojë pavarësinë dhe paanësinë e veprimtarisë së OSHMA-ve, duke synuar që ato të bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshme për rolin dhe përgjegjësinë e tyre.
Kryetarja e AMA-s Krasniqi bëri të ditur se në bazë të strategjisë së AMA-s për vitin 2021-2023 do të rishikohet Kodi i Transmetimit.
“Rishikimi do kryhet nga AMA në konsultim të gjerë me të gjithë aktorët relevantë në këtë fushë. Unë edhe dje shfrytëzova mundësinë nga Konferenca e OSBE dhe po e përsëris edhe sot, apelin për sa më shumë kontribut dhe gjithëpërfshirje në rishikimin e këtij Kodi, pasi besoj se shumësia e ideve bën një Kod që i shërben dhe prek e mbulon shumë komponentë të kohës që jetojmë. Pranë AMA-s, prej muajit prill 2016, funksionon Këshilli i Ankesave.
Që nga nisja e punës e deri më sot Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar mbi 570 të tilla.
178 prej të cilave kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve”, – nënvizoi Krasniqi.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit