SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Tuneli i Llogarasë, per 33 muaj, do përshkohet në 7 minuta, impakt ekonomik e turistik

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se ndërtimi i tunelit të Llogorasë hap një perspektivë të re për zhvillimin ekonomik e turistik të kësaj zone.

“Është dita kur një ëndërr e fjetur në sirtar prej dekadash po bëhet realitet duke hapur një perspektivë të re për zhvillimin ekonomik e turistik të gjithë kësaj zone dhe me një ndikim të drejtpërdrejt në ekonominë e vendit”, tha Balluku e pranishme në nisjen e punimeve në kantierin e ri të tunelit të Llogorasë.

Sipas ministres, kjo është prova më e mirë që tregon se ja dalim të kapërcejmë vështirësi e pengesa përfshirë edhe pandeminë.“Investimi i qeverisë shqiptare në këtë vepër madhore do të sjell më afër zonat e mrekullueshme turistike të bregdetit të Jugut, ndërkohë do të krijojë hapësira të reja për investitorët”, tha ministrja.

Sipas saj, ky tunel është pjesë e vyer e gjerdanit infrastrukturor që nis me bajpasin e Fierit, për të vijuar me atë të Vlorës, me rrugën Orikum-Dukat, tuneli i Llogorasë, për të kaluar në anën tjetër të Karaburunit me vazhdimin e rrugës Palasë-Dhërmi e lotet e Kardhiq-Delvinë, që lidh këtë pjesë të bregdetit me Gjirokastrën dhe kufirin e Greqisë.

Ministrja informoi se më 28 nëntor hapet edhe kantieri për ndërtimin e aeroportit të Vlorës për të vijuar me ndërtimin e dy porteve atë të jahteve dhe portit të integruar në Triport, ku do të ndërtohet një infrastrukturë e re që do të përfshijë edhe shërbimet tregtare edhe udhëtimet për pasagjerët.

Ministrja foli edhe për konsorciumin që do të ndërtojë tunelin.“Konsorciumi ka në krye një ndër kompanitë më të mëdha turke, ASL me një eksperiencë të shkëlqyer në fushën e ndërtimit të tuneleve. Kemi kërkuar që kjo kontratë të përfundojë brenda 36 muajsh, por kompania ka premtuar ta mbyllë brenda 33 muajsh”, tha ministrja.

Balluku ndau edhe disa elementë teknik të projektit të tunelit.

“Tuneli me një gjatësi prej 5.9 km ndodhet afërsisht 20 km në jug të Vlorës. Projekti parashikon edhe tunel emergjence. Tuneli është një nga elementët kryesor të autostradës SH8 ekzistuese që lidh Fierin, Vlorën dhe Sarandën nga Veriu në Jug duke u konsideruar autostrada më e rëndësishme kombëtare në bregdetin jugor. Hyrja e tunelit do të jetë rreth 500 m para Urës së Shën Elisës dhe dalja e tij do të jetë 1.5 km nga ura në Palasë. Shpejtësia e parashikuar është 50-80 km/orë. Koha e udhëtimit nga 55 minuta bëhet 7-10 minuta, ndërsa në pikun turistik vëllimi mesatar i trafikut llogaritet 10 mijë makina”, tha Balluku.

Duke folur për impaktin e ndërtimit të tij, ministrja tha se projekti do të ketë ndikim të drejtpërdrejt me vlerë 100 milionë euro që konsiston në kushte më të sigurta të drejtimit, më pak aksidente më pak dëme mjetesh, kosto e ulët e transportit dhe rritje e punësimit me 400 vende pune.

Ndërsa ndikimi indirekt, sipas ministres Balluku, përllogaritet 80-100 milionë euro përmes një transporti më të shpejtë drejt Aeroportit ndërkombëtare më të rëndësishme të vendit, rritje e turizmit, rritje e punësimit me rreth 2200 vende të reja dhe rritje vlerës së tokës përreth veprës./ata///

error: