Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi mbrëmjen e sotme 1-0 përballë Andorrës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror “Katar 2022”.
Ndeshja e sotme u vendos nga një 11-metërsh në minutën e 73-të i shndërruar në gol nga mesfushori Endri Çekiçi.
Shqipëria vinte në këtë sfidë me shumë mungesa dhe pas humbjes 5-0 ndaj Anglisë në Londër.
Trajneri i kombëtares, Edoardo Reja bëri disa ndryshime në 11-shen titullare për shkak të lojtarëve të dëmtuar apo të pezulluar. Kështu, nga ndeshja e kaluar në formacion u konfirmuan vetëm tre lojtarë Strakosha, Hysaj dhe Uzuni.
Ndërkohë, nga minuta e parë një fanellë titullari i është besuar dy lojtarëve të Tiranës, Erjon Hoxhallari dhe Taulant Seferi, ndërkohë që në mbrojtje u rreshtuan Dermaku dhe Mihaj.
Në mesfushë u aktivizua Ramadani dhe Qazim Laçi. Në krah luanin Odise Roshi dhe Endri Çekiçi.
Në 45 minutat e para, megjithë insistimin e futbollistëve kuqezinj nuk u bë i mundur ndryshimi i rezultatit, teksa rasti më i mirë erdhi në minutën e 45-të, ku pas një krosimi të bukur të Erjon Hoxhallarit nga e majta, Odise Roshi u zhyt me kokë, por topi u përplas në shtyllë.
Ndërsa në pjesën e dytë, momenti kulmor I ndeshjes erdhi në minutën e 72-të, kur pas një kontakti në zonë mes Uzunit dhe mbrojtësit të Andorrës, për arbitrin nuk kishte dyshime dhe akordoi 11-metërsh. Më pas Çekiçi nuk gaboi nga pika e bardhë.
Kjo fitore e lë Shqipërinë në vendin e tretë në grupin I, me 18 pikë, duke lënë kështu pas Hungarinë me 17 pikë e cila fitoi sonte 1-2 ndaj Polonisë, Andorrën me 6 pikë dhe San Marinon me 0 pikë.
Grupi kryesohet nga Anglia me 26 pikë, e cila fitoi sonte 0-10 ndaj San Marinos dhe u kualifikua për në botërorin “Katar 2022”. Polonia u rendit e dyta me 20 pikë dhe shkon në play off.
Shqipëri- Andorra 1-0
Formacioni i Shqipërisë (3-5-2): Strakosha, Dermaku, Mihaj, Hoxhallari, Hysaj, Ramadani, Laçi, Çekiçi, Roshi, Seferi, Uzuni
Formacioni i Andorrës (5-4-1): Gomes, Cervos, Jimezes, Garcia, Lloveras, San Nicolas, Jordi Alaez, Pujol, Vieira, Martinez, Rosas Ubach.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI