Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se, “Sali Berisha ka demonstruar dy muajt e fundit se është një njeri dhe një politikan që i ka mbaruar koha, është jashtë kohe”.
I pyetur në një intervistë televizive se sot që flet për përjashtimin e Sali Berishës nga PD, çfarë ka ndryshuar nga deklaratat e 9 shtatorit, Basha tha se “nuk flas për përjashtimin e Sali Berishës, unë flas për zbatimin e statutit ndaj çdokujt, qoftë ky dhe Sali Berisha, e para. E dyta, ajo që ka ndodhur është e qartë, këto dy muaj kohë Sali Berisha nuk i shfrytëzoi për të bërë të vetmin akt që prisnin dhe meritonin demokratët. Dhe që ai e premtoi në verë që mos të përfshinte Partinë Demokratike dhe as grupin parlamentar, që ka një detyrë shumë të rëndë dhe shumë të rëndësishme para demokratëve dhe shqiptarëve, përballjen me regjimin e Edi Ramës, përballjen me masakrën zgjedhore, përballjen me përditshmërinë e shqiptarëve që është një vuajtje e pafund nga ky regjim. Përkundrazi, iu mbivendos kësaj detyre parësore të Partisë Demokratike dhe në dy muaj kohë, në vend që ta përdorte për të bërë atë që priste çdo demokratë, një qëndrim dinjitoz, ashtu siç e premtoi në një distancim nga Partia Demokratike, nga grupi parlamentar për ta vazhduar betejën e tij të cilën ka vendosur ta ndjek në rrugë ligjore, sepse është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneri strategjik i Shqipërisë, partneri strategjik i Partisë Demokratike në 30 vite. Përkundrazi, e përdori këtë kohë për të shpalosur anët e tij më të errëta. Siç kemi parë gjatë ditëve dhe javëve më të fundit, me kulturën e linçimit dhe sulmeve më të turpshme, më të ulëta, përfshirë ndaj drejtueseve gra demokrate që nuk mendojnë si ai. Me një gjuhë të poshtër, denigruese e cila i ngjan, madje mund të them në disa aspekte ia kalon edhe sulmeve që Edi Rama bën ndaj të njëjtëve persona. Prandaj, gjithçka ka ndryshuar që nga 9 shtatori. Rruga që Sali Berisha ka zgjedhur nuk ka asnjë lidhje më me vlerat dhe parimet për të cilat qëndron kjo parti, e ka bërë këtë, sepse dëshiron, ka zgjedhur që të bëjë gjithçka për ta përdorur Partinë Demokratike edhe demokratët si mish për top për hallet e veta. Këtë nuk mund t’ia lejoj dhe t’ia fal asnjë demokrati të ndershëm”.
I pyetur nëse ndan të njëjtat qëndrime me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se Sali Berisha, një, është i korruptuar, dy është minues i demokracisë, Basha theksoi se, “unë nuk e kam komentuar dhe nuk e komentoj vendimin e qeverisë amerikane dhe përpjekja për të tërhequr njerëz që kanë sakrifikuar për këtë parti në një betejë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e pafalshme, madje do të thoja kriminale. Sepse është një betejë që çon në dobësimin dhe asgjësimin e Partisë Demokratike si e vetmja alternativë, si e vetmja shpresë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje”.
Nëse është Sali Berisha një politikan i korruptuar Basha, u shpreh se, “Sali Berisha ka demonstruar dy muajt e fundit se është një njeri dhe një politikan që i ka mbaruar koha, është jashtë kohe. Është jashtë kohe me mënyrën sesi është sjellë”.
I pyetur nëse po bën një Kuvend për përjashtimin vetëm të Sali Berishës, Basha tha se, “nuk ka Kuvend përjashtimi, ka Kuvend bashkimi. Dhe çdokush e përcakton raportin me demokratët në bazë të qëndrimit që mban me interesat elektorale dhe politike të Partisë Demokratike dhe në raport me Statutin e Partisë Demokratike. Nuk është kjo një hordhi dumbabistësh ku secili bën si t’i thotë mendja apo dikush është më i barabartë se të tjerët dhe i mbivendoset dikujt tjetër. Jo! Statuti është i qartë. Ka një Kuvend, një Parti Demokratike, e cila do të marrë vendime jo për hallet personale të askujt, po për hallet e shqiptarëve dhe në raport me Platformën Qytetare për Demokraci, do t’i japë formë, do t’i japë substancë një lëvizje popullore e cila ngërthen interesat e shumicës sepse ajo që kemi sot në Shqipëri është një pakicë e vogël njerëzish, pushtetarësh, politikanësh, oligarkësh, faktorësh të krimit të organizuar që mbajnë të gjithë Shqipërinë në duart e tyre duke u pasuruar, duke u bërë gjithnjë e më të pushtetshëm përballë një shumice e cila po varfërohet ditë për ditë dhe si rezultat një pjesë e madhe po shikon largimin si të vetmin shpëtim. Pra, janë hallet e shqiptarëve problemi dhe agjenda jonë, jo hallet personale të askujt, qoftë ky dhe Sali Berisha”.
I pyetur se çfarë do të bëjë më 11, a do të shkojë tek Kuvendi i thirrur nga delegatët, Basha u shpreh se, “nuk ka, se po të kishte, pa diskutim që unë i pari do të kisha garantuar që vullneti i demokratëve, i delegatëve, të respektohej dhe ju e dini fare mirë që kjo u pamundësua në mënyrën sesi vetë Sali Berisha vendosi çastin e fundit të bënte blofin me atë që e quajti një proces për zbatimin e Statutit dhe demokracinë e brendshme. Gjuha e tij tashmë provon para të gjithëve se nuk ka asnjë interes tjetër, përpos se ta mbajë Partinë Demokratike në vendnumëro, madje ta sabotojë në përballjen me regjimin, me të vetmin qëllim për ta përdorur si mburojë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
I pyetur nëse është për përçarjen ndoshta më të madhe të Partisë Demokratike në tri dekada, Basha theksoi se, “nuk është një situatë për të folur me nëse apo për të supozuar të pasupozueshmen. Demokratët, të cilëve iu dhimbset Partia Demokratike dhe sakrifica e demokratëve e kanë të qartë. Përballja është jo thjesht midis të shkuarës dhe të nesërmes, ku qëndron investimi i tyre 10, 15, ndonjëherë 30-vjeçar, por është po kështu përballja me një regjim ku nga njëra anë, kemi një Parti Demokratike me forume legjitime, të zgjedhura, të votëbesuara, të angazhuara në betejë frontale me regjimin, dhe një individ i cili me veprimet e tij po dëmton interesat e demokratëve dhe është kthyer, po ju them dhe një herë, në tub oksigjeni për regjimin dhe regjimi ia njeh këtë meritë. I ka vënë në shërbim të njëjtët njerëz që ua turri demokratëve më 25 prill, njerëz të krimit të organizuar”.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.